Juventus e filloi në mënyrën më të mirë vitin 2021, pas fitores së djeshme 4-1 në shtëpi kundër Udineses. Trajneri i bardhezinjve, Andrea Pirlo, nuk ishte shumë i kënaqur me ekipin e tij në fillimin e sfidës, por ai thekson se djemtë e morën veten më pas. Në një intervistë për “DAZN”, italiani ndalet dhe tek merkatoja si dhe tek sfida e së mërkurës ndaj Milanit.
UDINESE – “Nuk ishte Juventusi më i mirë në fushë, por vinim nga një humbje e keqe ndaj Fiorentinës, kështu që në minutat e para ishim të ndrojtur dhe nervoz. Ishim shumë në vështirësi kur sulmuesit e tyre vinin në gjysmëfushën tonë, por fituam më tepër besim me kalimin e minutave. E dinim që Udinese do të na priste mbrapa dhe do të përpiqej të gjente golin përmes kundërsulmeve, por falë golit të parë ia arritëm t’i parandalonim ata”, deklaron italiani.
DYBALA – “Ne kemi nevojë për të ashtu siç ka ai për ne. Paulo punoi shumë mirë gjatë javës në stërvitje dhe të gjithë e pamë se ishte në gjendje shumë më të mirë fizike. Kjo është arsyeja se pse luajti 90 minuta të plota dhe shpresonim që të gjente dhe rrugën e rrjetës”.
MERKATO – “Ne tashmë kemi diskutuar me klubin se çfarë duam të bëjmë dhe nëse ka ndonjë mundësi. Shpresojmë të bëjmë diçka gjatë ditëve në vijim. Giroud? Ai do të ishte i dobishëm”.
MILAN DHE MORATA – “Vitin e kaluar shkova personalisht të shikoja disa nga seancat stërvitore të Stefano Piolit, pasi e admiroj atë si trajner dhe isha kurioz se si ai i organizonte ato. Tashmë, ai po korr shpërblimet e punës së bërë. Për sa i përket Moratës do ta shikojmë si do të jetë situata e tij, nëse do të jetë në gjendje për të luajtur apo jo të mërkurën”, përfundon Pirlo. /abcnews.al