Juventusi nuk ia doli të mposhtë Hellas Veronën në shtëpi. Sfida e mbrëmjes së kaluar në Serie A, u mbyll në barazim 1-1, i treti radhazi për bardhezinjtë në kampionat.
Të mërkurën vjen Barcelona e Leo Messit në “Allianz Stadium” të Torinos, përballje e vlefshme për javën e dytë të fazës së grupeve në Champions League.
Problemet në kampin e kampionëve të Italisë nuk janë të pakta në këto momente, por shqetësim të madh ka krijuar gjendja në repartin e mbrojtjes. Chiellini, De Ligt dhe Alex Sandro janë të dëmtuar. Të njëjtin fat pësoi edhe Leonardo Bonucci përballë Hellas Verona.
33-vjeçari ndjeu probleme muskulore në kofshë dhe i la vendin Frabottës çerek ore përpara fundit të ndeshjes. Kontrollet mjekësore do të përcaktojnë gjendjen e tij reale, por ekziston frika e një tërheqje.
Trajneri Pirlo ka në dispozicion vetëm një qendërmbrojtës natyral për duelin me ekipin katalanas, Merih Demiral. Nëse Bonucci nuk ia del, përkrah turkut pritet të luajë braziliani Danilo. /abcnews.al