Qendërmbrojtësi i Juventusit, Leonardo Bonucci, do të qëndrojë jashtë fushave për afro 20 ditë. Ky është raportimi që vjen nga “La Gazzetta dello Sport”, i cili nuk do t’i pëlqejë aspak Andrea Pirlos. Mësohet se italiani ka marrë një dëmtim kur ishte në grumbullim me kombëtaren dhe kjo ishte arsyeja se përse ai kërkoi largimin nga kampi.
“Unë do të doja të isha këtu, por fatkeqësisht nuk do të ndodhë. Provova gjithçka dhe jam përpjekur të shtrëngoj dhëmbët gjatë 20 ditëve të fundit, pasi edhe kundër Lazios kisha dhimbje. Shpresoja se ato do të zhdukeshin, por i ndiej ende. Ndoshta kam kërkuar shumë nga trupi im”, deklaroi të shtunën Bonucci për “RAI Sport”.
Kështu mbrojtësi do të humbasë duelet kundër Polonisë dhe Bosnjes. Ndërkohë ai do t’i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore në qëndrën e Juventusit, J Medical, në ditët në vijim. Nëse konfirmohet koha e rikuperimit për 20 ditë, atëherë Bonucci do të mungojë në duelet kundër Torinos, Cagliarit, Beneventos si dhe ato kundër Ferencvaros e Dynamo Kiev në Champions League. Gjithashtu edhe Giorgio Chiellini është aktualisht i dëmtuar dhe rrezikon të mungojë për afro një muaj./abcnews.al