Trajneri i Juventusit, Andrea Pirlo, zhvilloi pak momente më parë konferencën e zakonshme për shtyp para duelit me Beneventon. Italiani vlerësoi Pippo Inzaghin dhe punën e tij në stolin e “Shtrigave”, teksa vlerësoi padyshim ekipin kundërshtar. Ish-mesfushori u ndal edhe tek dëmtimet, si dhe tek e ardhmja e Cristiano Ronaldos.
BENEVENTO DHE INZAGHI – “Është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe vjen pak para një pushimi nga ndeshjet e kombëtareve. Shumë persona e kanë mendjen tek java tjetër, por kjo sfidë ka shumë rëndësi për ecurinë tonë. Unë e njoh mirë trajnerin e tyre dhe ai do të vijë këtu për të marrë një rezultat pozitiv. Nuk kam folur me Pippon kohët e fundit, por gjithmonë e ndjek atë. Puna e tij u shpërblye vitin e kaluar me fitimin e Serie B, po e vërteton se është një trajner i shkëlqyer”.
MUNGESAT DHE DËMTIMET – “Buffon po ndihet mirë dhe po stërvitet me grupin. Të shofim nëse do të luajë nesër apo jo. Të gjithë po presim rikthimin e Dybala, i cili më pas do të ketë mbi një javë kohë për t’u rikuperuar. Morata është mirë, po ashtu edhe Kulusevski. Kur të gjithë e sakrifikojnë veten e tyre si në mbrojtje ashtu edhe në sulm, gjithçka bëhet më e lehtë”.
INTER – “Detyra jonë është të bëjmë presion ndaj tyre, pasi kemi mundësinë për të mbyllur hendekun që kemi. Gjithçka varet nga ne. Interi është me fat, pasi lojtarët e tyre nuk do të luajnë me kombëtaret. Gjithsesi, e theksoj se e kemi vetë në duar fatin tonë”.
RONALDO – “Cristiano ka edhe një vit në kontratën e tij dhe ne jemi të lumtur që ai mund të vazhdojë të luajë me ne. Për sa i përket të ardhmes, ne nuk po mendojmë ende për të, pasi jemi të përqendruar në objektivat që kemi për këtë sezon”, përfundoi Pirlo. /abcnews.al