Një gol i Paul Pogba i dhuroi Manchester United fitoren 0-1 kundër Milanit dhe kualifikimin në çerekfinalet e Europa League (ndeshja e parë përfundoi në barazim 1-1).
Gëzim dhe lumturi në skuadrën angleze të Ole Gunnar Solskjaer dhe trishtim në kampin e djemve të Stefano Piolit. Të dy trajnerët analizuan ndeshjen e luajtur në “San Siro”.
PIOLI – “Shpresoja të vija në këto duele me të gjithë kontingjentin e lojtarëve. United luajti me titullarët, të njëjtën gjë doja edhe unë. Mund të bënim më shumë nëse do të kishim Mandzukic, Rebic dhe Leaon.
Na mungoi pak dhe atë pak duhet ta gjejmë në punën tonë. Jemi të rinj dhe kjo ndeshje do të na ndihmojë për t’u rritur, por më vjen shumë keq për eliminimin”.
SOLSKJAER – “Është fantastike të kemi Pogba sërish në skuadër. Ai na ka munguar për dy muaj dhe pati një impakt të madh sapo u fut. E nisëm shumë mirë ndeshjen, luajtëm mirë dhe mendoj se na u mohua një penallti.
Milani e mori veten më pas dhe ne rrezikuam shumë. Milani është një skuadër fantastike, Pogba e bëri diferencën. Ishte e rëndë të eliminoheshim në gjysmëfinale sezonin e kaluar, tani duam ta fitojë këtë turne. Jam i kënaqur, pasi mposhtëm një nga skuadrat më të forta”. /abcnews.al