Pak a shumë si në takimin e fundjavës ndaj Parmës. Milani regjistroi një tjetër barazim 2-2 në Serie A, por sonte në transfertë. Kuqezinjtë rikuperuan dy herë disavantazhin ndaj Genoas dhe në fund u rikthyen në shtëpi me një pikë.
Trajneri i ekipit kryesues të kampionatit italian, Stefano Pioli foli pas ndeshjes dhe e cilësoi shumë të vështirë përballjen e mbrëmjes së sotme. Milani kryeson Serie A me një pikë më shumë se Interi, teksa Pioli insiston se objektivi është rikthimi në Champions League.
“Ishte një ndeshje e komplikuar dhe e vështirë, pasi Genoa na i mbylli të gjithë hapësirat. Në pjesën e parë i patëm rastet për të kaluar në avantazh. Ishte një sfidë tepër e komplikuar, por u treguam të aftë në gjetjen e barazimit.
Pësuam dy gola edhe sonte, edhe pse nuk është se lejuam shumë hapësira, por po shtohen disi golat e pësuar. Fusha pati ndikimin e vet, ishte e vështirë të luaje një futboll cilësor. Kishim 6 lojtarë jashtë dhe është momenti për të shtrënguar dhëmbët.
E ardhmja? Dy ndeshjet e radhës nuk do të tregojnë qëllimet tona. E dimë që ka shumë vite që ky klub nuk merr pjesë në Champions League, rikthimi aty është objektivi ynë. Po luajmë shumë ndeshje, sonte pashë një ekip bujar në fushë.
Tonali? Sandro është një mesfushor i kompletuar, por ndaj Genoas ishte e vështirë për të gjithë mesfushorët tanë. Sandro ka cilësinë dhe kualitetin për të organizuar lojën dhe për të kryer inkursione“, deklaron Stefano Pioli. /abcnews.al

