Stefano Pioli do të debutojë nesër në stolin e Milanit. Kuqezinjtë presin Leccen në San Siro dhe tifozët shpresojnë që ekipi të tregojë një tjetër fytyrë. Trajneri feston 54-vjetorin e lindjes nesër dhe e dëshiron këtë fitore më shumë se të gjithë.
Trajneri i “Djallit” tenton të shpjegojë filozofinë e tij dhe tregon se ku duhet përmirësuar ekipi. Batutat nuk i mungojnë, teksa e mbyll me një koment për Piatek dhe Rafael Leao.
SITUATA – “Nuk kemi patur shumë ditë për të punuar së bashku, por rëndësi ka që nesër të tregojmë se i kemi idetë e qarta. Duhet të njohim më mirë njëri-tjetrin. Metoda ime e punës bazohet shumë te detajet. Nuk i kam pyetur lojtarët se çfarë ka shkuar keq deri tani, thjesht duam të nisim një rrugëtim të ri së bashku”.
NDRYSHIMET – “Mendoj se Milani ka nevojë për ide, intensitet dhe pozicionim më të mirë të lojtarëve. Po punojmë shumë në këto aspekte. Hoqa dorë nga grumbullimet dhe lojtarët duhet të marrin më shumë përgjegjësi në qasjen e tyre profesionale. Pastaj nuk po flasim për grumbullime si dikur. Sot të gjithë lojtarët qëndrojnë në telefona dhe ka humbur pak shpirti i grupit”.
PROPOZIMI – “Kur mora ofertën e Milanit, mendova se po shkoja në një klub prestigjioz me një histori të madhe. E kam për nder që gjendem këtu. Mendoj se është më shumë motivim sesa shqetësim fakti që do të luajmë në San Siro. Mendoj se jam gati për këtë detyrë. Përpara 20 vitesh nuk isha, por eksperiencat negative më kanë rritur shumë. Nesër mbush 54 vjeç dhe mendoj se e kam maturinë për të drejtuar në këto nivele”.
PIATEK – “I kam thënë që t’i besojë vetvetes. Nëse jemi pjesë e Milanit, do të thotë që nuk jemi pa cilësi, thjesht duhet ta vëmë në pah. Leao? E shoh më shumë si qendërsulmues sesa sulmues krahu. Ai është një lojtar me potencial të jashtëzakonshëm”. /abcnews.al