Fitorja 1-2 ndaj Sampdorias ka krijuar kënaqësi dhe ka shkaktuar entuziazëm në kampin e “Djallit”. Kuqezinjtë vazhdojnë të mos njohin humbje dhe kryesojnë Serie A me +5 pikë mbi Interin. Stefano Pioli ndihet i lumtur në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, ku ndër të tjera tha:
“Treguam se jemi një skuadër e vërtetë. Cilësia më e mirë e këtij grupi është shfrytëzimi i çdo situatë, edhe atyre negative, për të shfaqur kualitetin që zotërojmë.
Ishte hera e parë që ne luajmë pa Kjaer, Bennacer dhe Ibrahimovic, tre lojtarë shumë të rëndësishëm. Unë e përgëzova ekipin, ne duam të fitojmë çdo ndeshje, e dimë që nuk do të jetë e mundur, por ne duhet të kemi entuziazëm për t’u përballur në çdo ndeshje si finale.
Lojtarët vazhdojnë të më befasojnë me pjekurinë e tyre. Le të përpiqemi ta shijojmë këtë moment, është e kotë të mendojmë shumë për të kaluarën ose të ardhmen, duhet të përpiqemi të insistojmë në situata që mund të na japin përparësi.
Festa te goli i Castillejo? Për fat të mirë ata vrapojnë më shpejt se unë. Mendova se e kishim mbyllur ndeshjen, por bëra një gabim. Fatkeqësisht, goli i pësuar na e bëri të vështirë. Ne nuk duhet të mendojmë për titullin, të vazhdojmë të punojmë kështu dhe të rritemi“, thekson Pioli. /abcnews.al