Pioli: Calhanoglu i jashtëzakonshëm, si Colombo nuk gjen të rinj sot

schedule08:56 - 25 Shtator, 2020

schedule 08:56 - 25 Shtator, 2020

Milani triumfoi 3-2 kundër norvegjezëve te Bodo/Glimt dhe është 90 minuta larg kualifikimit në grupet e Europa League. Hakan Calhanoglu ishte vendimtar me dy golat dhe asistin e dhënë për të riun Colombo, ndërkohë që pas ndeshjes trajneri Stefano Pioli i ka dhënë edhe meritat mesfushorit turk.

“Një pjesë e madhe të meritave i takojnë atij, pasi është një lojtar shumë altruist dhe më shumë cilësi. Ai punon shumë për ekipin. Është e vështirë të presësh gjithmonë dy gola, por e pres këtë lloj paraqitjeje. Ai është një djalë i jashtëzakonshëm dhe ka kualitetet për t’u bërë protagonist”, tha fillimisht për DAZN trajneri i Milanit.

Fjalë të mirë nga Pioli edhe për Lorenzo Colombo: “Me siguri është shumë i emocionuar dhe e tregoi. Kjo është diçka e mirë për të, është vetëm 18 vjeç dhe u thirr për të luajtur menjëherë para ndeshjes. Ai kishte përgjegjësi.

Gjithsesi është një djalë i shkëlqyer, me këmbë në tokë dhe që ka vullnet për të punuar. Nuk është e lehtë të gjesh të rinj më këtë qëndrim. Colombo e di se duhet të punojë shumë për t’u përmirësuar. Jam i lumtur që ai ishte gati dhe shënoi, sikurse bëri edhe në miqësoret para nisjes së sezonit”.

Në turin tjetër Milani përballet me portugezët e Rio Ave, që eliminuan turqit e Besiktas. Pioli shton: “Është e dukshme që të gjitha ndeshjet janë të vështira. E dinim që do të ishte përballje sfiduese kjo me Bodo/Glimt. Kishim shtatë lojtarë të rëndësishëm që na mungonin. Tani fokusohemi te ndeshja e radhës në kampionat të dielën dhe më pas mendojmë për ndeshjen e play-off kundër Rio Ave”. /abcnews.al