Separatistët në rajonin e trazuar Papua të Indonezisë kanë publikuar të martën imazhe dhe pamje që ata thonë se tregojnë një pilot të Zelandës së Re të marrë peng javën e kaluar në gjendje të mirë shëndetësore, por u zotuan se ai nuk do të lirohet derisa autoritetet të pranojnë pavarësinë e zonës.
Philip Mehrtens, i cili fluturoi me një avion të linjës ajrore Susi Air, u rrëmbye nga luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të Papua-s Perëndimore (TPNPB) javën e kaluar pas uljes në rajonin e largët të Nduga.
TPNPB publikoi fotot e Mehrtens në faqen e Facebook së bashku me një deklaratë ku përsëriti qëndrimin e tij.
“TPNPB ka pranuar përgjegjësinë për djegien e aeroplanit dhe marrjen peng të një piloti Susi Air, i cili është shtetas i Zelandës së Re, dhe ne mbajmë premtimin tonë dhe jemi politikisht përgjegjës”, thuhet në deklaratë.
Shefi i Sigurisë së Indonezisë, Mahfud MD u zotua për të siguruar lirimin e Mehrtens, ndërsa një zëdhënës i ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Zelandës së Re tha se ata ishin në dijeni të fotografive dhe videove që qarkullonin, por nuk pranuan të komentojnë më tej.
/abcnews.al