Piktori nga Buçimasi që la shkollën për të ndjekur pasionin: Vetëm Zoti mund të më ndalë

schedule18:24 - 10 Korrik, 2021

schedule 18:24 - 10 Korrik, 2021

Nga Ledjona Xheladinaj

Qemal Guri nga Buçimasi i Pogradecit që në vegjëli nuk resht së pikturuari. Prindërit vendosën që ai të studionte në shkollën e mesme teknike. Po Guri e la për të ndjekur pasionin e tij.

“E kam nisur si fëmijët e tjerë me dëshirë që në vegjëli. Edhe pse kisha talent prindërit më çuan në shkollë teknike të minierave, më pas pa e mbaruar shkollën e minierës nisa atë të pikurës”.

Kujton me nostalgji çmimin e parë, që mori pasi pikturoi portretin e të shtrenjtit të tij.

“Në vitin 1988 me talentet e rinj kam marrë një çmim në Durrës. Çmimi I parë nuk harrohet kurrë, bëra portretin e babait. Mora 5 mijë lekë të vjetra po atëherë ishte shumë”.

Me ardhjen e demokracisë emigroi për 4 vite në Greqi, por kur u kthye vendi kish ndryshuar. Askujt si binte në mendje për artin.

“Edhe në Greqi pikturoja. Kur u ktheva në ‘95, askush nuk blinte piktura mbeta keq dhe u detyrova të hapja një mobileri. Pikturoja më pak se në fakt pikturën nuk e shoh si biznes”.

Teksa vitet kalonin 57 vjeçari iu kthye pikturës me kohë të plotë. Kur moti është i mirë del buzë liqenit. Preferon më shumë peisazhin. Pikturon dhe kur largohet nga qyteti.

“E kur kam ikur me pushime në Vlorë kam pikturuar. Dhe në Korçë kam pikturuar në Vithkuq dhe rrugës për në Ersekë kam pikturuar”.

Kur takon të rinj dhe fëmijë ndjen keqardhje kur mëson prej tyre se në shkollë nuk marrin dije për pikturën.

“Edhe vetë ne e kemi fajin. Vizatimin në shkolla nuk e japin piktorët, por mësues që nuk plotësojnë normën. Nga klasa e parë në të pestën nuk bën mësim pikture asnjë piktor. Bëj kurse në verë. Ka nga ata që nuk dine të kapin lapsin, as që të presin lapsin”.

Në ditët e nxehta të verës përpiqet të shesë punimet. Kënaqet kur ka blerës që  njohin vlerën pikturë. “Ishte një vajzë 22 vjeç dinte të lexonte pikturën. Edhe pse nuk kishte shumë lekë bleu tre”.

E mërzisin ata blerës që e shohin pikturën si orendi. “Ka nga ato femra që blejnë ngjyrat jo pikturën, në fillim ndjehesha keq. Tani jam mësuar disi. Vinin dhe thonin do ta ble këtë se më kombinon me ngjyrat e murit. Vinin dhe thonin kjo me kë shkon. Piktura shkon me çdo gjë që e rrethon, pasi piktura shpreh”.

Qemal Guri thotë se i shet lirë pikturat. Nuk ka qëllim të fitojë shumë para, por të vazhdojë pasionin. “Nëse nuk i shes nuk do pikturoj dot më se duhet të ble bojëra dhe kanavacë”.

Për momentin nuk po del të shesë piktura pasi është në pritje të lejes së ushtrimit të aktivitetit.

Vuan nga disa sëmundje kronike, po pikturën nuk e lë. Thotë që nuk do ndalojë deri në frymë të fundit. “S’besoj të ketë fuqi tjetër përveç zotit të më ndalë së pikturuari. S’do ndaloj deri në frymën e fundit”.