Karantina, e ka frymëzuar së tepërmi, artistin e ri Amarildo Ruçi. Kjo periudhë e vështirë, vjen e pasqyruar më një forcë ngjyrash. E ku as COVID-19 nuk është anashkaluar në tablot e tij.
“Jam përpjekur të sjell sa më shumë pozitivitet në këto momente gri që njerëzit po kalojnë”, shprehet ai.
Nuk mungon as dashuria në kohën e koronavirusit.
“Dashuria është mbi gjithçka. Siç dashurojmë në çdo moment edhe në këtë periudhë është e pashmangshme”, shprehet ai.
Amarildo është një piktor atipik, prej 4 vitesh ka flakur penelat, çdo pikturë ai e realizon vetëm me duar dhe thonj, teknikë e cila i jep maksimumin e shprehisë.
“Unë përdor të gjithë elementin e dorës, varet nga sipërfaqja. Tani kjo është bërë një pjesë e imja. Ndihem shumë mirë, është e vetmja rrugë ku mund të futem shpirtërisht”, tregon ai.
E kuqja është ngjyra e tij e preferuar, të cilën simbolikisht është e kudondodhur.
“Shpreh imagjinatën time. Ngjyra e kuqe është ngjyra ime e preferuar që i vogël. Plotëson të gjithë ideologjinë time të pikturës”, shprehet ai.
Krahas ekspozimit të 60 pikturave dhe vazove ku ai shpreh anën e tij emocionale, mjaft për zemër ka instalacionin e një çifti, ku tullumbacet pasqyrojnë edhe gjendjen emocionale.
“Kemi dashurinë dhe urrejtjen, shpirtin dhe trupin, jetën dhe vdekjen , të mirën dhe të keqen. Këto janë përfshirë në marrëdhënien e çiftit gjatë jetës, që janë edhe luhatjet më të mëdha”, shprehet ai.
Ambiciet i ka të larta, ëndrra e tij është që të renditet në 30 artistët më të mirë në botë.
“Është një ëndërr që do të më bëjë të motivohem. Shpresoj që ta arrij. Ka të bëjë me ekspozimet, frymën që sjell artisti, si ndikon tek të tjerët. Janë disa pika që besoj pse jo, t’i arrij”, shprehet ai.
Në ekspozitën “Përtej Artit,” e 7 e tij personale nuk mungojnë edhe tematikat sociale, si ngrohja globale, apo ndotja e ambientit.