Pikëpyetjet e shkollimit në SHBA/ Baze: Këlliçi të thotë “nuk kam master”, të çlirohet nga makthi që ka krijuar vetë

schedule20:56 - 25 Prill, 2023

schedule 20:56 - 25 Prill, 2023

TIRANË- Në Tiranë kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Belind Këllici po përballet me një fushatë sulmesh rreth mënyrës se si është regjistruar në një Universitet në Baltimore në SHBA dhe si e ka konvertuar shkollimin katërvjeçar në master.

Gazetari Mero Baze tha në “Tema e Ditës” në ABC News, se Belind Këlliçi duhet të dalë publikisht dhe të pranojë që nuk ka master. Ai tregoi format që ka ndjekur Këlliçi për të shkuar në SHBA, dhe po ashtu marifetet e aplikimit në universitet.

 

 

Intervista e plotë: 

Zoti Baze sa të besueshme janë akuzat ndaj Këlliçit rreth shkollimit të tij?
Mero Baze: Parimisht jemi në një situatë, ku një ish-nxënës është pranuar në një universitet amerikan bazuar mbi listën e notave dhe krediteve.  Kjo është një praktikë shumë e njohur në fakt për universitete angleze, por dhe pjesërisht për universiteteve amerikane, ato që nuk janë rankuar në vendet e para. Sistemi anglez ofron një lloj sistemi parauniversitar, ku studenti zgjedh universitetin dhe ato një vit i bëjnë kualifikim për të hyrë në universitet dhe është një lloj mature. Unë mendoj se ky konfuzion u krijua nga përgjigjet e Këlliçit, sepse tha se unë kam marrë një dëftesë pjekurie. Në fakt ai është regjistruar në bazë të listës së notave dhe krediteve, që universiteti ia ka konsideruar. Duke konsideruar  se shkollat shqiptare janë katër vjeçare, universiteti ka menduar se ai e ka kryer shkollën dhe ka një listë notash.

Me çfarë vize studentore ka shkuar në SHBA Këlliçi, nëse nuk ka pasur konfirmim pranimi nga Universiteti?
Mero Baze: Kolegji thotë… Këtu  ka një problem me kolegjin “Harry Fulz” në Tiranë,sepse kur bën sqarim thotë se ne i dhamë një listë notash sepse kërkoi të ikte në SHBA. E vërteta është se Kolegji në këtë rast konsiderohet sponsorizues, sepse Këlliçi ka ikur me një vizë  G1, që janë viza që merren për studime të dedikuara në SHBA dhe këto jepen nga një institucion. Ai ka shkuar që të kthehet. Ka marrë një vizë jo për të vajtur për studime në SHBA, por për të kryer një praktikë nga një kontratë që ka pasur Harry Fultz me SHBA. Nga ajo që kam verifikuar unë, Këlliçi ka ikur fillimisht me një vizë G1, që ka qenë një praktikë e shkollës që dërgonte studentë për SHBA për punë, dhe për praktikë, që të aftësoheshin dhe riktheheshin në Shqipëri për të përfunduar ciklin Shkollor. Ka ikur si shumë nxënës të tjerë, të tjerët janë kthyer dhe kanë përfunduar kolegjin këtu. Z. Këlliçi sapo ka shkuar atje ka aplikuar menjëherë në universitet, ka fituar të drejtën nga universiteti dhe pastaj ka shkëmbyer vizën G1 me F1, që është vizë studentore. Ka bërë disa marifete ta parrezikshme procedurale për të shkëmbyer vizën. I ka ngelur borxh kolegjit, dhe kolegjit po e mbron për këtë çështje.  Nuk ka ndonjë procedurë të rëndë fakti se pse është regjistruar në këtë mënyrë. Problemi është mënyra se si e ka paraqitur. Më shumë gënjeshtra të papanevojshme nga Këlliçi, që kanë krijuar një perceptim për falsifikim dokumentesh.

Si qëndron sipas jush problemi i konvertimit të diplomës bachelor në master?
Mero Baze: Kjo është një çështje tjetër. Nuk di të them nëse kjo është bërë në mënyrë preferenciale apo politike, por besoj se është bërë me një shtysë politike, ndoshta edhe për studentë të tjerë, por unë kam parë edhe studentë të tjerë dhe kam edhe raste konkrete, kur diplomat e studimeve 4 vjeçare në SHBA ose Angli, konsiderohen ashtu siç janë. SHBA ka të ndarë çështjen e bachelorit dhe masterit.  Kur të thotë je për bachelor ke 4 vjet, kur bën master bën 2 vjet të tjera. Ajo që mund të themi qartë është se Belind Këlliçit nuk ka master, pavarësisht konvertimit që i ka bërë ministria jonë. Atë dokument ai duhet ta konsideroj të pavlefshëm dhe meqenëse është në politikë, duhet të bëjë një gjest që ta anulojë dhe të thotë: unë nuk kam master, kam bachelor dhe të çlirohet nga ky makth se më shumë e ka ngatërruar vetë se sa është e ngatërruar./n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!