Në gjashtë bashki të vendit u zhvilluan sot zgjedhje për kryetarët e rinj. Në Vorë u publikua rezultati final, ku këtë bashki e fitoi Partia Socialiste, ndërsa vendin e tyre e mori “Shtëpia e Lirisë”, duke lënë forcë të tretë PD-në.
Në studion e ABC me gazetarin Endri Xhafo, analisti Eduard Zaloshnja komentoi rezultate që priten në bashkitë e tjerë, duke u bazuar në sondazhet e realizuara prej tij.
Sipas tij nëse opozita do të ishte e bashkuar në Durrës mund të kishte një garë të fortë për t’ua marrë këtë bashki socialistëve të cilët e drejtojnë prej 15 vitesh.
“Durrësi si staticien do të ishte për mua ëndërr ta shihja opozitën të bashkuar se do të ishte një garë kokë më kokë. Edhe mobilizim i PS do ishte shumë i madh. kur opozita është e ndarë, kur gjysma bën gol në portën e vet, edhe maxhoranca është më e qetë komode”, tha ai.
Sakaq, betejë të fortë e cilëson Shkodrën. Bastioni i të djathtës këtë herë është një garë e fortë mes demokratëve. Sipas tij nëse zgjedhjet përsëriten në Shkodër, do të jetë një garë për jetë a vdekje mes tyre.
“Te sondën e së mërkurës e epërsia ishte te 1 mijë vota. Apo nuk ishte ndonjë epërsi, gjë precize se s’mund të jetë.
Përkrahësit e Bashës do të dekurajohen plotësisht sepse me këto rezultate me atë që pamë në Vorë dhe nëse kjo përsëritet, kandidati i Bashës në Shkodër do të shihet si njeri pa shpresë.
Nëse përsëriten zgjedhjet atëherë do ta shikojmë Shkodrën në një betejë të paparë elektorale. Përkrahësit e kandidatit të Bashës do të rrinë në shtëpi. ata njerëz që votojnë kundër Berishës e ndjejnë fort këtë. Nëse përsëritet zgjedhjet në Shkodër do të jetë për jetë a vdekje”, tha ai.
Sa i takon Dibrës, analisti tha se historikisht është me pikëpyetje, duke evidentuar rastin e Kastriotit. g.v/abcnews.al