Krzysztof Piatek u transferua te Hertha Berlin janarin e vitit të kaluar, teksa Milani përfitoi 24 milion euro nga shitja e tij. Sulmuesi polak ka zbuluar një prapaskenë merkato në prononcimin e dhënë për Prawda Futbolu.
Tottenham shfaqi interesim konkret për goleadorin 25-vjeçar, klubi londinez e donte për të zëvendësuar kapitenin Harry Kane, por Piatek përfundoi në Bundesligën gjermane.
“Unë u largova nga Milani për shkak të ardhjes së Ibrahimovic. Nuk kisha ofertë vetëm nga Hertha Berlin. Tottenham i kërkoi Milani huazimin tim 18-mujor. Duhet të zëvendësoja Kane, i cili ishte i dëmtuar.
Gjithsesi, Hertha ngulmoi më shumë dhe oferta e tyre ishte më e mirë. Ata paguan kartonin tim dhe më dhuruan një ofertë 4.5-vjeçare, duke shfaqur vendosmëri të madhe për të më pasur në skuadër“, deklaroi Piatek. /abcnews.al