Pianistja rrëfen historinë e dashurisë me skulptorin Pjerin Kolnikaj: U njohëm në bibliotekë, tërheqja e parë ishte intelektuale

schedule10:35 - 11 Tetor, 2024

schedule 10:35 - 11 Tetor, 2024

Drejtoresha e Liceut Artistik dhe pianistja, Etleva Kolnikaj ka treguar në emisionin “Pas Mesnate” historinë e dashurisë me skulptorin Pjerin Kolnikaj.

Ajo ka rrëfyer se u njohën në bibliotekë, dhe në fillim ka qenë një ‘feeling’ intelektual, më pas shpirtëror.

Madje, Etleva zbuloi dhe dhuratën e parë që bashkëshorti i ka bërë, një skulpturë në bakër, të realizuar nga mendja, pasi ajo nuk pozoi sepse ishin në fillimet e njohjes.

“Me Pjerinin jemi njohur në Akademinë e Arteve. Pjerinit i doli me vonesë shkolla dhe ndoshta ky ishte fati që të njiheshim bashkë, sepse në rast se do t’i dilte në vitin kur duhet t’i dilte, mund të kishte njohur ndonjë vajzë tjetër. Unë isha te muzika dhe Pjerini te Figurativi. Unë kam qenë shumë e lidhur me artin figurativ, më pëlqente shumë të shikoja revista, libra dhe katallogje të arteve figurative. Edhe aty jemi njohur të dy duke parë libra të artit figurativ në bibliotekë. Ato bisedat e para, nuk i harroj, Pjerini ishte shumë, shumë i interesuar për të parë dhe risitë që kishte shekulli. Kur më tregonte ndonjë gjë të veçantë, të ndaluar, mua më dukej mrekullia e botës. Këto kanë ndikuar, fillimisht ka qene një ‘feeling’ intelektual dhe më pas shpirtëror. Më bëri një skulpturë në bakër që unë e kam akoma dhe e ruaj me shumë fanatizëm në shtëpi. E ka bërë përmendësh sepse unë nuk mund t’i pozoja dikujt që nuk e njihja në atë kohë”.

Më tej, Kolnikaj ka folur dhe për dy fëmijët, të cilët asnjëheri nuk ka zgjedhur rrugën e prindërve, pasi nuk e kishin me pasion.

“Fëmijët asnjëri nuk ka ndjekur rrugën e artit. Nuk është se nuk kishin prirje, por ata e morën vendimin vetë. Vajza në fakt është marrë me kanton për shumë vite, doja ta fusja në Liceun Artistik për piano ose për violinçel, por ditën që po shkonim për konkurs më tha: ‘Mami, unë vetëm prej teje po e bëj këtë gjë, se mua nuk më pëlqen’. Kështu që është një gjë me sforco nuk bëhet dhe unë ia këshilloj gjithmonë prindërve, që asgjë me sforco nuk bëhet. Vajza është mjeke dhe e ka të trashëguar nga familja ime, numërojmë rreth 86 mjekë në familjen time nga babai”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!