Pas transmetimit të pamjeve filmike në emisionin investigativ “Stop” dhe ndalimit të tij nga Policia, Universiteti i Elbasanit ka marrë menjëherë masën e pezullimit nga detyra të pedagogut Denis Himçi. Në një njoftim për mediat, Universiteti “Aleksandër Xhuvani” bën të ditur se masa e pezullimit nga detyra do të jetë në fuqi deri në zbardhjen e plotë të çështjes.
Gjithashtu, Universiteti i Elbasanit shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë deri në zbardhjen e plotë të çështjes për pedagogun Denis Himçi, pjesë e Departamentit të Gjuhës Frënge dhe Italiane. Pedagogu Himçi u ndalua nga policia pas denoncimit të bërë mbrëme nga emisioni “Stop” në TV Klan.
Përmes kameras së fshehtë, “Stop” dokumentoi me zë dhe figurë se si pedagogu Denis Himçi i kërkonte një studenteje raport intim, në këmbim të marrjes së provimeve.
Madje ai i premtonte asaj jo vetëm lëndën e tij, por nëse vajza ishte e gatshme për atë që i kërkonte profesori, ai do t’ia zgjidhte problemin për të gjitha provimet, duke korruptuar edhe kolegët e tij me njohje e dhurata.
Pedagogu Denis Himçi i premtonte studentes dhurata të ndryshme nëse do të plotësonte dëshirat e tij. /ABC News Albania 24/7