Pezullohen për 2 javë të tjera seancat gjyqësore, këto janë rastet që bëjnë përjashtim

schedule09:27 - 7 Prill, 2020

schedule 09:27 - 7 Prill, 2020

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur të pezullojë edhe me dy javë të tjera seancat gjyqësore në të gjithë vendin, për shkak të situatës së krijuar në vend nga përhapja e virusit COVID-19. Pezullimi i seancave do të jetë deri më datë 22 Prill.

Nga efektet e këtij pezullimi përjashtohen seancat gjyqësore që kanë lidhje me masat e sigurimit, afatet e paraburgimit, apo edhe seancat për dhënien e urdhrit të mbrojtjes për rastet e dhunës në familje.

Gazetarja Xhensila Kodra tha për abcnews.al se Këshilli i Lartë Gjyqësor, në mbledhjen e djeshme online, ka caktuar që proceset gjyqësorë të shtyhen edhe 2 javë të tjera.

Nga ky urdhër do të përjashtohen vetëm seancat e rëndësishme siç janë masat e sigurisë. Nga ana tjetër çdo Gjykatë është urdhëruar se seancat gjyqësorë të hapura do të jenë pa praninë e publikut apo mediave.

Gjatë periudhës që gjyqet do të jenë të pezulluara Gjykatat do të vijojnë punën, por komunikimi me publikun do të bëhet nëpërmjet Postës zyrtare apo emalit.

Në dyert e Gjykatave që prej një muaji ka pasur një fluks të shtuar të kërkesave të avokatëve për të liruar nga burgu personat më akuza të lehta, me pretendime, për çështje shëndetësore apo si pasojë e COVID-19.

Njoftimi i plotë

Të dashur bashkëqytetarë!

Duke marrë shkas nga vijimi i situatës së fatkeqësisë natyrore në vend e krijuar nga virusi COVID-19, Këshilli i Lartë Gjyqësor mori vendimin për të vijuar pezullimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në të gjitha gjykatat në Republikën e Shqipërisë, deri në datën 22 prill 2020, me përjashtim të çështjeve urgjente.

Këshilli i Lartë Gjyqësor i kushton rëndësi parësore sigurisë së publikut, gjyqtarëve dhe të gjithë punonjësve të tjerë të gjykatave. Këto janë kohë të paprecedenta për të gjithë botën dhe ne, ashtu si dhe ju, jemi duke punuar për të gjetur rrugën më të mirë për të ecur përpara.

Ne mbështesim marrjen e masave të vazhdueshme për mbrojtjen e vendit dhe të gjithë qytetarëve nga përhapja e virusit COVID-19. Gjyqtarët e caktuar për shqyrtimin e çështjeve individuale do të zbatojnë ligjin duke garantuar mbrojtjen, sigurinë dhe aksesin në drejtësi si prioritare, kur përcaktojnë cilat çështje do të kategorizohen si “të ngutshme” apo “urgjente”.

Këshilli i Lartë Gjyqësor i lutet publikut dhe përdoruesve të tjerë të gjykatave të mos paraqiten pranë gjykatave, përveç rasteve kur orientohen të bëjnë një gjë të tillë nga një punonjës i gjykatës dhe për një çështje specifike.

Këshilli i Lartë Gjyqësor do të vijojë të punojë me gjykatat për të menaxhuar sa më shumë që të mundet në distancë dhe kërkon mirëkuptimin dhe durimin e publikut, ndërsa kalojmë të gjithë këtë periudhë të vështirë. Këshilli i Lartë Gjyqësor shpreh vlerësimin maksimal për gjyqtarët dhe ata punonjës të Drejtësisë, që janë të detyruar t’i ofrojnë publikut shërbimin e tyre edhe në këtë kohë, në kushte të vështira pune.

Publiku mund t’u referohet burimeve të mëposhtme, për më shumë informacion:
Faqet zyrtare të Gjykatave
Këshilli i Lartë Gjyqësor (http://klgj.al)2
Këshilli i Lartë i Prokurorisë (https://klp.al)
Ministria e Drejtësisë (http://www.drejtesia.gov.al )
Dhoma Kombëtare e Avokatisë (http://www.dhka.org.al)
Këshilli i Lartë Gjyqësor do ju informojë në vijimësi në lidhje me zhvillimet e reja dhe ju uron
shëndet dhe siguri!

/abcnews.al/