Pezullimi i marrëveshjes për emigrantët/ Meloni: Respektoj vendimin, nuk kemi plan B

schedule19:05 - 15 Dhjetor, 2023

schedule 19:05 - 15 Dhjetor, 2023

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ka folur për pezullimin e marrëveshjes me Shqipërinë për emigrantët. Ajo tha se nuk ka asnjë plan B dhe se shpreson që të mos ketë një vendim që do të anulonte marrëveshjen, duke theksuar se respektonte vendimet që merr një vend sovran si Shqipëria.

“I respektoj vendimet e gjykatave shqiptare. Nuk duhet të cenojë marrëveshjen, por nuk kam plan B. Nuk mendoj se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e Shqipërisë kushtëzon paktin me Italinë, por ne nuk do të ndërhyjmë në vendimet të një organi të një vendi sovran.“, u shpreh kryeministrja italiane.

Gjykata Kushtetuese pezulloi marrëveshjen për emigrantët të mërkurën, një ditë përpara seancën ku pritej që të miratohej në Kuvend. Gjykata ka vendosur ta shqyrtojë në themel marrëveshjen për të dalë në përfundim nëse ajo bie ndesh me kushtetutën apo jo, ashtu siç pretendon opozita.

Seanca për shqyrtimin në themel është vendosur të mbahet më 18 janar. Ishte Partia Demokratike, si ajo zyrtare e Lulzim Bashës, dhe dy grupimet e tjera, Berisha e Bardhit, që e çuan marrëveshjen në Kushtetuese, më datë 6 dhjetor. Në mbledhjen e gjyqtarëve, u vendos që Bashës t’i kthehet ankimimi për ta plotësuar në vijim ndërkohë që vendimmarrja e gjykatës bazohet tek dokumentet e dërguara nga Berisha e Bardhi.

Opozita thotë se marrëveshja me Italinë bie ndesh me kushtetutën, shkel konventat e të drejtave të njeriut dhe i mungon transparenca. Qeveria ka pasur tjetër qëndrim, se marrëveshja nuk është antikushtetuese pasi janë kaluar të gjitha filtrat dhe fazat e saj. Këtyre qëndrimeve, Kushtetuesja do t’u japë përgjigje pas Janarit./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!