Pezullimi i Luan Dacit “ngrin” çështjet që gjykohen prej tij, KPA: Do presim vendimin e GJKKO

schedule12:00 - 25 Maj, 2020

schedule 12:00 - 25 Maj, 2020

Pezullimi nga detyra i gjyqtarit Luan Daci ka futur në ngërç sistemin e vettingut në shkallën e vlerësimit nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

KPA ka njoftuar sot se çështjet ku Daci është anëtar i trupës gjykuese, do të ngrijnë deri në daljen e vendimit të Gjykatës së Posaçme Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.​

Ndërsa në çështjet ku ai nuk është anëtar i trupës gjykuese, Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të organizojë punën për vijimin e gjykimeve dhe caktimin e datave për gjykimin e çështjeve.

Njoftimi

Më 20 maj 2020, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vuri në dijeni Kolegjin e Posaçëm të Apelimit lidhur me vendimin nr. 54, datë 20.05.2020 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sipas të cilit, është vendosur caktimi i masës së sigurimit ndaluese “pezullimi i ushtrimit të një detyre a funksioni publik”, në bazë të nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, për gjyqtarin Luan Daci.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit është njoftuar gjithashtu, nga gjyqtari Luan Daci që do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore të ankimit ndaj këtij vendimi.

Në këto kushte, Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të organizojë punën për vijimin e gjykimeve dhe caktimin e datave për gjykimin e çështjeve, ku gjyqtar Luan Daci nuk është anëtar i trupës gjykuese.

Ndërsa në çështjet, ku gjyqtar Luan Daci është anëtar i trupës gjykuese, Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të presë vendimin e Gjykatës së Posaçme Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.​

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!