Pezullimi i Enkeleda Kapedanit, Metani: Gjyqtari duhet të ketë standarde të larta të sjelljes

schedule18:17 - 7 Qershor, 2021

schedule 18:17 - 7 Qershor, 2021

Këshilli i Lartë Gjyqësor pranoi sot kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për pezullimin nga detyra të gjyqtares Enkeleda Kapedani, ndërsa i kërkoi ILD-së kryerjen e hetimeve të mëtejshme për shkeljen disiplinore që i atribuohet magjistrates.

Lexo edhe: Videot në TikTok, KLGJ pezullon gjyqtaren Enkeleda Kapedani

Në seancën e sotme dëgjimorë zhvilluar në KLGJ, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani u shpreh se gjyqtari duhet të transmetojë drejtësi, besueshmëri, etikë të lartë e integritet në dhënien e një vendimi gjyqësor.

Metani nënvizoi se “gjyqtari” duhet të ruajë dhe zbatojë standarde të larta të sjelljes dhe duhet t’i respektojë personalisht këto standarde, si gjatë ushtrimit të detyrës ashtu edhe në jetën private.

Bazuar në konkludimet e hetimit disiplinor, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani i propozoi Këshillit të Lartë Gjyqësor, pezullimin nga detyra të magjistrates Kapedani, deri në përfundimin e procedimit disiplinor dhe masën disiplinore “Shkarkim nga detyra” të parashikuar nga neni 111 i Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të  ndryshuar, për shkeljet disiplinore të parashikuara nga neni 140, pika 2, shkronja “a” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, neni 103, paragrafi 1, shkronja “dh” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe shkelje te Kodit të Etikës Gjyqësore të miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor me Vendimin nr. 171, datë 22.04.2021: Seksionit “C” “Parimi i integritetit”, shkronja “a” dhe “b”, Seksioni “Ç” “Parimi i sjelljes së hijshme dhe me vetëpërmbajtje”, pika 9, shkronja “c”.

“Nga hetimi disiplinor provohet, se nga ana e magjistrates Enkeleda Kapedani janë kryer sjellje në kundërshtim me parimet e integritetit të magjistratit dhe parimit të sjelljes së hijshme dhe me vetëpërmbajtje, të parashikuara në Kodin e Etikës Gjyqësore. Sjelljet dhe veprimet e magjistrates të kryera jashtë ushtrimit të detyrës, por edhe në ambientet e ushtrimit të detyrës, diskretitojnë figurën dhe pozitën e magjistratit dhe dëmtojnë besimin e publikut në sistemin gjyqësor, duke u parashikuar si shkelje shumë e rëndë disiplinore”, ka thënë Metani.

Kujtojmë se KLGJ  e nisi procedimin disiplinor ndaj gjyqtares pas publikimit të disa videove të saj në platformën TikTok. Në seancën e sotme dëgjimore, Kapedani kërkoi ndjesë, por theksoi se po gjykohet për shkak të veshjes dhe shijes muzikore.

“Shpresoj që zëri im të dëgjohet, do e nis me një ndjesë publike. Po gjykohem për veshjen, pamjen apo shijen muzikore,” ka thënë  gjyqtarja./i.k/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!