Në një situatë të pazakontë për skenën juridiko-politike shqiptare, juristja Brizida Gjikondi, e ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, ka vlerësuar se çështja e fundit që ka mbërritur në Gjykatën Kushtetuese është më shumë politike sesa ligjore.
Ajo e përshkroi zhvillimin si një përplasje të drejtpërdrejtë mes pushteteve dhe si një rast pa precedent, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në nivel ndërkombëtar. Sipas Gjikondit, dinamika e krijuar tregon një tension të ri mes drejtësisë dhe politikës, ndërsa mazhoranca po përballet me pasojat e vendimeve të saj të mëparshme për përbërjen e Kushtetueses.
Juristja nënvizoi se procedurat që po zhvillohen janë të papara më herët dhe se mbetet e paqartë madje edhe se kush do të përfaqësojë kryeministrin në seancën e pritshme në Gjykatën Kushtetuese.
“Është një çështje më shumë politike, se sa ligjore. Është përplasje mes dy pushteteve. Nuk e di se kush do të jetë mbrojtësi i kryeministrit në seancë në Gjykatën Kushtetuese. Nuk mund të flas para kohe, por është shumë domethënëse dhe e rëndësishme dhe e padëgjuar ndonjëherë.
Nuk e besoj se do ketë praktika të mëparshme në lidhje me këtë lloj çështjeje. Është një situatë dinamike mes drejtësisë dhe politikës shqiptare. Kjo gjë nuk ka ndodhur ndonjëherë në asnjë vend tjetër të botës. Është një situatë dinamike në drejtësinë shqiptare.
E gjithë mazhoranca po korr se çfarë ka mbjellë, numri i më i madh i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese janë votuar nga mazhoranca. Gjykata Kushtetuese e ka marrë topin nga GJKKO, sepse Gjykata Kushtetuese është gjithnjë e mefshtë, gjatë gjithë kohës i drejtohet Komisionit të Venecias”, tha Gjikondi./abcnews.al

