Petkoviç në Deçan, merr pjesë në liturgjinë e mesnatës së pashkëve

schedule10:51 - 16 Prill, 2023

schedule 10:51 - 16 Prill, 2023

Drejtori i të ashtuquajturës “zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç mori pjesë në liturgjinë e mesnatës në Manastirin e Deçanit me rastin e pashkëve ortodokse.

Ai shoqërohej nga kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç si dhe figura të tjera të kësaj partie. Njoftimi u bë nga vet Lista Serbe por pa dhënë shumë detaje.

Edhe Manastiri i Deçanit konfirmoi se Petkoviç mori pjesë në shërbesë bashkë me disa përfaqësues të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Sipas tyre, rreth 300 besimtarë nga Kosova, Serbia dhe Mali i Zi morën pjesë në shërbesën e mesnatës.

“Në shërbesë morën pjesë edhe z. Petar Petkoviç, drejtori i ‘zyrës për Kosovën’ të Qeverisë së Serbisë, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, përfaqësues politikë serbë nga Kosova, si dhe përfaqësues të KFOR-it. Pas Liturgjisë së Shenjtë, shijuam mëngjesin e Pashkëve në tryezën e mbushur plot të manastirit”, shkroi Manastiri i Deçanit.

Fatkeqësisht në të kaluarën pjesëmarrja e figurave të Beogradit në ceremoni fetare është shoqëruar me fjalor të papranueshëm duke nxitur përçarje mes serbëve dhe të gjitha komuniteteve të tjera që jetojnë në Kosovë.

Kjo ka bërë që në të kaluarën disa prej tyre, përfshirë edhe Petkoviqit, t’i ndalohet hyrja në vendin tonë.

Megjithatë, Qeveria e Republikës së Kosovës kësaj radhe nuk ka njoftuar nëse ia ka lejuar hyrjen në Kosovë, “drejtorit” Petkoviç.

Gjithsesi, Petkoviç nuk ka qenë zyrtari i vetëm nga qeveria serbe që ka qëndruar në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit, pasi edhe ministrja e Shëndetësisë, Danica Grujiçiç ka qëndruar në Graçanicë./Kosova Press

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!