Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se nuk do ta lejonte vizitën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Kosovë.
Kurti, në një intervistë për Klan Kosova, më 30 mars, ka thënë se marrë parasysh rrethanat aktuale, Vuçiq nuk do të ishte person i dëshiruar në Kosovë, shkruan REL.
“Nëse kemi parasysh njeriun, i cili thotë se masakra e Reçakut është fabrikim, dhe asnjëherë nuk e ndryshoi këtë gjë, unë nuk mendoj që do të duhej të vinte në Republikën e Kosovës”, tha Kurti.
Petkoviç ka thënë se Kurti kot mburret, pasi nuk pyetet për diçka të tillë.
“Kush është Kurti që ta përcaktojë dhe t’i japë leje për vizita në krahinë presidentit Vuçiç kur ka marrëveshje të nënshkruara që rregullojnë qartë këtë çështje?”, u shpreh ai.
Sipas Petkoviçit, Kurti “ka frikë” nga vizita e presidentit Vuçiq, sepse “e di sa do të thotë kjo për popullin serb në Kosovë dhe Metohi”.
Në mars të këtij viti, vetë Vuçiç ka thënë se shpreson që do të mund ta vizitojë Kosovën, deri në fund të vitit./abcnews.al