Petkov-Kovaçevski: Lufta në Ukrainë imponon zgjerimin e BE-së

schedule14:56 - 28 Mars, 2022

schedule 14:56 - 28 Mars, 2022

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçeski, dhe ai i Bullgarisë, Kiril Petkov, besojnë se së shpejti mund të ketë marrëveshje mes dy vendeve për kapërcimin e kontestit, që do të çonte ne heqjen e vetos bullgare për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Pas takimit në Sofje të shefave të qeverive të shteteve të Evropës Juglindore, anëtare të NATO-s, Petkov tha se ka sinjale pozitive për kapërcimin e dallimeve për personalitetet historike dhe çështjet tjera dhe së shpejti mund të ketë marrëveshje.

Petkov tha se përshpejtimin e procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor e dikton edhe kriza që u shkaktua me luftën në Ukrainë.

“Maqedonia e Veriut e ka vendin në familjen e Bashkimit Evropian dhe Qeveria bullgare dëshiron që ajo të bëhet pjesë e saj sa më shpejt që të jetë e mundur. Të gjithë e dimë se kemi disa standarde që duhet të përmbushen si respektimi i të drejtave të pakicave dhe këtë e kemi diskutuar me Kovaçevskin, ndërsa në koordinim jemi edhe me partnerët evropianë. Ne presim dhe besojmë se së shpejti këtë do ta arrijmë. Pajtohem me vlerësimin se krizën, të cilën e kemi aktualisht, me luftën në Ukrainë, Ballkani Perëndimor duhet të jetë më stabil dhe rruga drejt një stabiliteti më të madh mund të arrihet me qasjen e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE. Kjo është e qartë dhe besojmë se kjo do të arrihet pasi kemi lajme të mira edhe për çështjet historike mes dy vendeve”, tha Petkov.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, tha se procesi duhet të përshpejtohet pasi çdo vonesë, sipas tij, mund të thellojë pasigurinë, të rrisë mosbesimin e qytetarëve në BE, por edhe t’i nxisë forcat tjera që të rrisin ndikimin në rajon.

“Zgjerimi i BE-së po bëhet politikë e sigurisë pasi ngecjet në këtë proces krijojnë pasiguri plotësuese në rajon. Kemi tendenca negative apo përpjekje për ndikime të qëllimshme të palëve të treta. Shtyrja e nisjes së bisedimeve krijon dilema që mund të rezultojnë me uljen e besimit te qytetarët ndaj BE-së. Ne mbetemi të përkushtuar në ngritjen e raporteve të fqinjësisë së mirë. Detyra jonë mbetet që të fokusohemi në promovimin e vlerave dhe të forcimit të bashkëpunimit”, theksoi Kovaçevski.

Kryeministri maqedonas tha se në takimin me kryeministrat e shteteve të Evropës Juglindore, anëtare të NATO-s: kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, ai i Rumanisë, Nikolae Çuka dhe ai i Bullgarisë, Kiril Petkov, edhe njëherë kanë dënuar agresionin rus në Ukrainë duke i dhënë mbështetje sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

Në këtë takim është biseduar për koordinimin mes këtyre shteteve për aspektet e energjetikës, sigurimin e gazit përmes Turqisë dhe Greqisë me qëllim uljen e varësisë nga gazi rus, sigurimin e ushqimit por edhe rritjen e kujdesit nga kërcënimeve. Kjo pasi sipas kryeministrit rumun, Nikolae Çuka, “agresioni rus në Ukrainë paraqet kërcen për sigurinë e përgjithshme”, andaj edhe theksoi nevojën për rritjen e mirëbesimit përmes forcimit të bashkëpunimit mes këtyre shteteve me partnerët evropianë./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!