Një peticion online për të bllokuar largimin e Birtanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, ka mbledhur deri tani 3.5 milionë firma. Ndërkohë që presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk shprehet se deri në 12 prill mund të ndodhë cdo gjë, e që shpresa vdes e fundit.
Mes atyre që kanë firmosur peticionin online që kërkon qëndrimin e Londrës në Bashkimin Europian janë dhe personalitete si aktori Hju Grent dhe këngëtarja Ani Lenoks e grupit “Eurythmics”. Peticioni ka mbledhur deri tani 3.5 milion firma, një sukses që nuk pritej vetëm tre ditë pas publikimit të tij. Një rezultat që vë dhe më shumë në dukje pasiguritë që janë krijuar në Mbretërinë e Bashkuar për sa i përket daljes nga BE.
Në Britaninë e Madhe në mënyrë që një peticion të shtrohet për diskutim në parlamentin e vendit duhet të kalojë pragun e 100 mijë firmave, prag ky i kaluar dukshëm. Në peticion lexohet ndër të tjera se qeveria thekson se dalja nga Bashkimi Europian është vullneti i popullit, ndërsa aktualisht ata që duan qëndrimin në BE janë më të shumtë në numër.
Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk, u shpreh se fati i Brexit është në duart e miqve britanikë. Ai theksoi se Brukseli është përgatitur për më të keqen por shpreson më të mirën, pasi shpresa është e fundit që vdes.
Tusk më tej u shpreh personalisht i lumtur dhe i kënaqur për vendimin e Këshillit Europian për ti dhënë Londrës më shumë kohë. Kjo do të thotë se deri në 12 prill çdo gjë është e mundur./abcnews.al