Peticion nga 51 pedagogë: Të anulohet ligji i arsimit të lartë

schedule20:25 - 23 Dhjetor, 2018

schedule 20:25 - 23 Dhjetor, 2018

Ligji i arsimit të lartë është shkaktari kryesor i situatës në universitetet publike në vend. Kështu mendojnë 51 pedagogë të fakultetit të Historisë e Filologjisë, që kanë firmosur një peticion, ku kërkojnë shfuqizimin e atij ligji.

Pedagogë të Fakultetit të Historisë e Filologjisë në Universitetin e Tiranës e shohin ligjin për Arsimin e Lartë si shkakun kryesor për gjendjen ku ndodhet Universiteti, gjendje për të cilën studentët kanë nisur bojkotin e mësimit prej 6 Dhjetorit të këtij viti.

51 pedagogë kanë firmosur një peticion. Në listën me 5 pika, ata kërkojnë abrogimin e Ligjit për Arsimin e Lartë, garantimin e të drejtave të studentëve, krijimin e një Këshilli Emergjence pranë Ministrisë së Arsimit për të mundësuar daljen nga kriza aktuale, hapjen e një debati publik për hartimin e një ligji të ri për Arsimin e Lartë, lirimin e mjediseve të zaptuara në fakultete, si dhe financimin e kampusit të ri universitar që sipas pedagogëve duhet t’i kalojë në administrim Universitetit të Tiranës.

Kërkesat e pedagogëve:
1. Abrogimin e Ligjit për Arsimin e Lartë dhe mbajtjen e përgjegjësive përkatëse.
2. Garantimin e të drejtave të studentit, të cilat me ligjin aktual janë të shkelura.
3. Pas abrogimit të ligjit dhe miratimit të kërkesave të studentëve, të krijohet një Këshill Emergjence pranë Ministrisë së Arsimit, me përfaqësimin e të gjitha palëve të interesuara për të mundësuar daljen nga kriza aktuale dhe realizimin e reformimit të Arsimit të Lartë.
4. Nxjerrjen e përgjegjësive për zënien e mjediseve universitare dhe marrjen e masave për lirimin e tyre, si dhe financimin e kampusit të ri universitar, i cili duhet t’i kalojë në administrim Universitetit të Tiranës.
5. Hapjen e një debati publik për hartimin e një ligji të ri për Arsimin e Lartë.

Më herët ishin pedagogë të Shkencave Sociale që dolën në mbështetje të protestës së studentëve dhe kërkuan ndryshime në Ligjin për Arsimin e Lartë. Kjo kërkesë parashtrua kryeministrit edhe në takimin e para pak ditëve me studentë e pedagogë të arkitekturës, por përgjigjia e tij ishte e qartë se mangësitë nuk janë te ligji, por tek zbatimi i tij./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!