“Pesimistët nuk e kuptojnë futbollin”, tekniku i “Baskëve” beson: Mund të kualifikohemi

schedule12:56 - 5 Mars, 2024

schedule 12:56 - 5 Mars, 2024

Mbrëmjen e kësaj të marte, në “Reale Arena”, të San Sebastianit, në Spanjë, “Baskët” e Real Sociedad presin në “ferrin” e tyre, “gjigantët” francezë, të Paris Saint-Germain, me këta të fundit, që ndryshe nga “Bavarezët” janë goxha më të qetë, kjo pasi arritën një fitore komode, 2 me 0, në “Parc des Princes”, vetëm tre javë më parë, duke e kthyer kualifikimin, në një mision më të lehtë.

Pavarësisht se e nisën sezonin në një mënyrë fantastike, duke arritur të mbyllnin në vendin e parë edhe grupin D, në Champions League, me skuadra si Inter, Benfica e Salzburg, “Baskët” e Real Sociedad po kalojnë aktualisht formën më të keqe të këtij sezoni, teksa kanë arritur të sigurojnë vetëm 1 fitore, në 9 përballjet e fundit, mes kampionatit, Kupës së Mbretit dhe Ligës së Kampionëve, gjë e cila ka shqetësuar jo pak teknikun, Imanol Aguacil.

Megjithatë, duket se sërish ky i fundit duket të jetë goxha optimist, në prag të kësaj sfide, teksa beson tek ekipi i tij dhe kërkon nga ta një përmbysje, që do të ishte historike. Një gjë të tillë tekniku i “Bardhebluve Baskë” e ka konfirmuar edhe në konferencën për shtyp, të zhvilluar pasditen e së martës, nga ku u shpreh se futbolli ka surpriza dhe rikthime.

“Pesimistët nuk e kuptojnë futbollin. Jo vetëm në Champions, por edhe në kampionat, kur skuadra ishte në disavantazh kishte surpriza dhe rikthime. Nuk kam dyshim se nëse skuadra luan si në ndeshjen e parë, sidomos në gjysmën e parë të lojës dhe shënon golin e parë, ata mund të kalojnë dhe nuk po ëndërroj kur e them këtë”,- u shpreh tekniku i “Baskëve”. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!