Peshëngritja, Briken Calja kampion europe

schedule20:19 - 28 Mars, 2018

schedule 20:19 - 28 Mars, 2018

Briken Calja u shpall kampion i Europës në peshëngritje, në kampionatin që po zhvillohet në Rumani. Ai fitoi medaljen e artë në dygarësh në peshën deri 69 kg, duke përmirësuar ndjeshëm imazhin e shtangës shqiptare.

Ja që mund të kemi edhe lajme të mira.

Pas dy skandaleve të dopingut dhe pas dëmtimit të Erkand Qerimajt, peshëngritja shqiptare gjithsesi e pati një shkëlqim në Kampionatin Europian që po zhvillohet në Bukuresht.

Briken Calja u shpall kampion i Europës në peshën deri 69 kg, një sukses vërtet i nivelit të lartë, më i madhi arritur në karrierën e tij.

Shtangisti nga Shtërmeni dominoi peshën e tij, duke fituar medaljen e artë më të rëndësishme, atë në dygarësh, dhe po ashtu doli kampion i Europës edhe në stilin e shkëputjes.

Calja ngriti gjithsej 317 kg, plot 6 kilogram nga gjermani Joakim, që doli nënkampion.

Ai i realizoi me sukses të treja provat në stilin e shkëputjes, duke arritur në 146 kg, ndërsa në stilin tjetër atë të shtytjes, pati sukses vetëm në një provë.

Ngriti 171 kg dhe kjo i mjaftoi për të mposhtur të gjithë konkurrentët.

Brikeni provoi të merrte medaljen e artë edhe në këtë stil, por dështoi në peshën 175 kg.

Ky është suksesi më i madh i peshëngritjes shqiptare në arenën ndërkombëtare, bashkë me atë të Erkand Qerimajt që doli kampion i Europës në vitin 2014 në Izrael.

Gjithsesi, për t’u konfirmuar gjithçka duhet pritur përfundimi I analizave të dopingut.

Calja, po ashtu ka arritur rezultatin më të mirë të sportistëve meshkuj në Lojrat Olimpike, duke dalë në vend të 5-të në Londër 2012.

Në Kampionatin Europian që po zhvillohet në Rumani, për Shqipërinë do të garojë edhe Daniel Godelli në peshën deri 77 kg, dhe ai gjithashtu ka shpresë për medalje./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!