Ish-portieri i Milanit, Christian Abbiati, beson se skuadra e Stefano Piolit mund të luftojë për titull këtë sezon. Në një prononcim për “La Gazzetta dello Sport”, 43-vjeçari foli rreth situatës së kuqezinjve pikërisht pak ditë para duelit me Napolin. Abbiati i shikon dhe napoletanët për titull, por ai thekson se është ende shumë herët për të folur për Scudetton.
“Unë mund të them se Milani mund të luftojë për vendin e parë deri në fundin e kampionatit. Është një rrugëtim i gjatë, ku janë katër apo pesë ekipe pretendente për titullin. Mes këtyre ekipeve janë dhe kuqezinjtë”, deklaron italiani.
“Edhe nëse ata fitojnë kundër Napolit këtë fundjavë sërish është shumë herët për të menduar për titullin. Fjala Scudetto duhet harruar për momentin”, përfundon Abbiati, i cili ka fituar tre herë Serie A, një herë Kupën e Italisë dhe Champions League gjatë aventurës së tij me Milanin. /abcnews.al