Lufta e Kosovës përfundoi më 10 qershor 1999. Atë ditë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së në Nju Jork miratoi Rezolutën 1244, e cila i dha fund zyrtarisht luftimeve.
Dy muaj e gjysmë më parë, në mbrëmjen e 24 marsit 1999, NATO kishte filluar bombardimet e para të caqeve në Jugosllavi (e përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi). Ishte ky misioni i parë luftarak i Aleancës së Mbrojtjes së Atlantikut të Veriut pa mandat të OKB-së dhe i pari me pjesëmarrjen e ushtarëve gjermanë.
Në një lidhje me Skype për “Ballkan Update”, deputeti i PDK, Hisen Berisha ka kujtuar këtë moment, duke thënë se edhe pse kanë kaluar 25 vite e ka akoma të freskët.
Ai ka theksuar e kishte shumë të vështirë ta besonte dhe të bindte vetveten që kishin arrutur lirinë.
“E kam të freskët atë moment dhe më njoftuan se u nënshkrua një marrëveshje e kapitullimit të Serbisë dhe ishte një ndjenjë që më jepte dhe shumë fuqi për t’u komanduar më tutje. Nuk e di a mund ta ndjejnë të gjithë atë emocion, por ishte një ndjenjë që ti je fitimtari dhe se pala ndërmjetuese po tërhiqet.
Ajo saga e gjatë e vuajtjeve dhe e rrugës deri te liria, është shumë e rëndë dhe me shumë sfida për shqiptarët dhe në momentin që dikush të thotë që ke arritur këtë liri dhe nga ky moment nuk do të ketë më polici serbe në Kosovë, ne e kishim shumë të vështirë ta bindim vetveten”, u shpreh Berisha./abcnews.al