Sot shënohet përvjetori i 27-të i nisjes së bombardimeve të NATO-s mbi bazat ushtarake dhe policore serbe në ish-Jugosllavi për të ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë.
Bombardimet nisën më 24 mars 1999 dhe zgjatën 78 ditë. Ato nisën pas përpjekjeve të dështuara të komunitetit ndërkombëtar për ta bindur ish-liderin serb, Sllobodan Millosheviç për një armëpushim.
“Nëse presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviç nuk është i gatshëm të bëjë paqe, ne jemi të gatshëm t’i kufizojmë aftësitë e tij për të bërë luftë kundër kosovarëve”, pati thënë presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Clinton.
Më pas, ishte Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, i cili i autorizoi sulmet ajrore.
Kjo fushatë përbënte herën e parë që NATO-ja e përdorte forcën ushtarake pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Fushata përfshiu rreth 1.000 avionë që operuan nga bazat ajrore në Itali dhe Gjermani, si dhe aeroplanmbajtësen e vendosur në Detin Adriatik, USS Theodore Roosevelt.
Avionët kryen mbi 38.000 fluturime – prej të cilave 10.484 fluturime sulmuese – pa asnjë fatalitet në mesin e aleatëve.
Lufta përfundoi me rreth 13.000 njerëz të vrarë; me mijëra të zhdukur, mbi 1.600 prej të cilëve mbeten ende të pagjetur; me qindra mijëra refugjatë – shumica e të cilëve u kthyen; dhe me mijëra prona të dëmtuara ose të shkatërruara.


