Pranë stadiumit “Arena Kombëtare” u përurua lulishtja dhe këndi i ri i lojërave. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i pranishëm në ceremoninë e përuruimit deklaroi se së shpejti do të nisë ndërtimi i 17 shkollave të reja.
Këndi i 40 i lodrave në Tiranë ndodhet pranë stadiumit “Arena Kombëtare”. Gjatë përurimit të tij, kryetari i bashkisë Erion Veliaj kërkoi bashkëpunimin e banorëve për ta mirëmbajtur. Ndërkohë, Veliaj i bëri thirrje bizneseve të kontribuojnë për të shtuar kënde lojërash edhe në zona të tjera.
“Në tollovinë tipike shqiptare, ku çdo gjë është kthyer në kompensim prone, e privatizuar, e zaptuar, e legalizuar, e hipotekuar, mundëm të gjejmë një hapësirë dhe të ‘qërojmë’ disa prona, të cilat i shpëtuan kësaj zallamahie. Me agjencitë e bashkisë dhe me miqtë donatorë e filluam punën për vit të ri dhe e mbaruam në më pak se një muaj. Një punë kolosale për të transformuar një hapësirë urbane në Njësinë 2”.
Në fokus të punës së Bashkisë së Tiranës do të jenë fëmijët. Këtë vit sipas kryebashkiaku do të nisë puna për ndërtimin e 17 shkollave të reja.
“Pesë të parat do të fillojnë në muajin shkurt dhe më pas çdo muaj do kemi nga 4-5 shkolla. Do të jetë viti i parë ku në zgjedhjet lokale nuk do të diskutohet më për mësimin me dy turne, sepse ka marrë zgjidhje, por do të duhet të shikojmë se si do të vazhdojnë të jenë epiqendra, siç janë të familjes sonë të vogël, ashtu edhe të familjes sonë të madhe të Bashkisë së Tiranës”.
Në këtë lulishte për herë të pare integrohet dhe rrugica e bimëve kacavjerrëse si jargavanë e trëndafila, bimësi autoktone e qytetit të Tiranës./abcnews.al