Në 14 maj në Jeruzalem do të inaugurohet selia e re e ambasadës amerikane në Jeruzalem. Sipas Shtëpisë së Bardhë delegacioni amerikan do të përbëhet nga 250 personalitete të ndryshme dhe do të drejtohet nga zëvendës sekretari amerikan i shtetit Xhon Salivan.
Me anë të një deklarate për shtyp, Shtëpia e Bardhë konfirmoi delegacionin amerikan prej 250 personash mes te cilëve rreth 40 politikanë, që do të marrin pjesë në inaugurimin e selisë së re të ambasadës amerikane në Jeruzalem i parashikuar për në 14 maj. Mes të pranishmëve do të jenë dhe Ivanka e Xhared Kushner, vajza dhe dhëndri njëkohësisht dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të presidentit amerikan. Në ceremoni do të jenë rreth 800 të ftuar, por asnjë nuk do të jetë diplomat i huaj. Lajmi është konfirmuar nga “Times of Israel”, që citon një burim të ambasadës amerikane. Mësohet gjithashtu se mes të ftuarve do të ketë liderë fetarë dhe ekonomistë, gazetarë, akademikë dhe përfaqësues të qeverisë amerikane. Por dhe përfaqësues të qeverisë izraelite dhe politikanë vendas. Burime nga qeveria izraelite ka shpjeguar se meqënëse vëmendja do të përqendrohet tek marrëdhëniet mes Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk do të ketë diplomat të tjerë të huaj. Përvec shteteve të bashkuara të amerikës vetëm Guatemala ka vendosur të njohë Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit prandaj vështirë të mendohet se përfaqësues të vendeve të tjera do të kishin marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit. Ministria e jashtme izarelite ka organizuar një festë paraprake për hapjen e ambasadës amerikane dhe atë të Guatemalës në Jeruzalem duke ftuar të gjithë ambasadorët e akredituar në vend, por deri tani asnjeri prej tyre nuk e ka pranuar ftesën. /abcnews.al

