Një finalist i papritur në Kupën e Amerikës. Peruja mundi Kilin, kampion në fuqi, dhe do të synojë titullin e parë pas 44 vjetësh.
Hera e fundit ishte 44 vjet më parë. Peruja siguroi atëherë titullin e dytë në Kupën e Amerikës, pas suksesit ndaj Perusë, por tani është pranë një tjetër triumfi. Do të jetë një finale krejt e pazakonte ajo e 7 Korrikut në stadiumin “Marakana” të Rio de Zhaneiros.
Brazili nuk do të ketë përballë kampionen në fuqi, Kilin, por pikërisht surprizën e madhe me emrin Peru. Skuadra e mbiquajtur “Inkasit”, pra që mban emrin e vjetër dhe të nderuar të banorëve të kontinentit, e eliminoi pa mëshirë dhe pa mëdyshje skuadrën kilene.
Rezultati 3-0 nuk besohet se lë vend për koment. Edison Flores, Joshimar Jotun dhe Paolo Gerrero ishin autorët e golave ndaj Kilit që cilësohej si favorit. Skuadra kilene dëshironte të barazonte rekordin e trofeve radhazi, me 3 të tillë, gjë që e ka bërë vetëm Argjentina e Morenos, Pedernerës, Pontonit, Labrunës apo Di Stefanos.
Aleksis Sançez e Arturo Vidal me shokë këtë herë nuk ia dolën. Peruja nuk do të jetë favorite ndaj Brazilit vendas, por gjithsesi është një skuadër me histori, pasi ka dalë dy herë kampione e Amerikës së Jugut, në 1939 e 1975, ndërsa ka qenë 14 herë në gjysmëfinale.
“Humbja në grup ndaj Brazilit ishte shumë e rëndë, por ne do të paraqitemi ndryshe në finale, – tha trajneri Rikardo Gareka, – është një finale, dhe ne duam që ta fitojmë. Gjithçka është arritur me meritë, falë lojës dhe sakrificave tona. Peruja ka një grup shumë të fortë lojtarësh dhe sukseset tona i kanë rrënjët pikërisht këtu. Futbollistët tanë dinë t’i kalojnë momentet e vështira. Respekt për Brazilin, por duam kupën”.
Skuadra bëri ritualin e zakonshëm përpara tifozëve që përpara ndeshjes ndaj Kilit, diçka që ndihmoi për suksesin. Tashmë, publiku peruvian, tepër i lumtur për suksesin e madh, kërkon edhe më shumë, ndonëse e di se ndaj Brazilit shanset normalisht janë të vogla. Gjithsesi, ndeshja nis 0-0 dhe në futboll kurrë nuk i dihet./ABC News Albania 24/7