Personazh/ Kovaçi i fundit në Kukës Osman Ademi

schedule13:25 - 5 Maj, 2019

schedule 13:25 - 5 Maj, 2019

Zanatet e vjetra megjithë përpjekjen e mjeshtrave, po shkojnë drejt zhdukjes.Në Kukës, Osman Ademi prej 30 vjetësh punon në mënyrë artizanale vegla të mekanikës bujqësore, por edhe pjesë të tjera xhenerike.

Zjarri për hekurin nuk shuhet asnjëherë. Në kovaçanën e tij ka shumë porosi. Dhe Osman Ademi duhet t’i përfundojë ato. Çdo vegël bujqësore punohet në mënyrë artizanale.  Nga familja Ademi në Kukës, Osmani është i vetmi trashëgimtar i këtij zanati.

Osman Ademi: “Artizanat quhet ose më parë farkëtar e farkon vetë metalin, e ngjet me anë të zjarrit, por me qymyr druri”.

Ka një punishte në dalje të qytetit të cilën e mban hapur nga mëngjesi në darkë. Prej 30 vitesh me çekiçin e tij, kudhrën, farkën e metalin, prodhon jo vetëm vegla mekanike bujqësore, por edhe pjesë të tjera xhenerike që u nevojiten edhe mjeteve të transportit.

Osmani tregon se puna e dorës është gjithnjë më e mirë sesa prodhimet në seri nga fabrikat. Porositë janë nga më të ndryshmet, përfshirë edhe plugjet e tokës për kafshë nga fermerët e zonave malore.

Osman Ademi: “Ka kërkesa nga fermerët, ku nuk hyn zetori, përdoret me kalë”.

Gjithmonë disa prej mjeteve të punës u vendos edhe shenjën e identifikimit dhe një dekoracion tëe trashëguar nga i ati.

Osman Ademi: “Lulet i ka shënuar baba jem, është një farë shenje dhe stampën me emrin tonë”.

Punon me orë të gjata dhe profesioni është i lodhshëm, por jo aq fitimrurës. Meraku i tij është se zanati i tij do të harrohet. Djali jeton në Francë dhe askush tjetër nuk e trashëgon.

Gazetar i ABC News, Kukës: Bujar Muçmata

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!