Banesa e gjyqtares Shpetime Pitaku është vjedhur nga disa persona ende të panjohur për policinë.
Ngjarja ndodhi të dielën në katin e 6 të këtij pallati në lagjen nr 6 të qytetit të Durrësit.
Denoncimin në polici e ka bërë vetë gjyqtarja po ditën e diel dhe ka deklaruar se i janë marrë rreth 2 mijë euro dhe disa bizhuteri të lira.
“Në momentin që ka ndodhur grabitja nuk ndodheshim në shtepi. Kur u kthyem konstatuam se ishte dëmtuar dera. Hymë brenda dhe vërejtëm se mungonte një sasi parash afro 2 mijë euro dhe disa bizhuteri, jo të shtrenjta. Nuk kam ide se kush mund të ketë organizuar dhe zbatuar këtë vjedhje. Ua kemi lënë në dorë organeve kompetente. Shpresojmë të zbardhet sa më shpejt”, tha ajo.
Autoret, te cilet dyshohet se ishin dy, i kanë mbajtur nën vëzhgim anëtarët e familjes Pitaku, në momentin që në banesë nuk ka pasur njeri, ata kanë hyrë brenda saj te maskuar.
Zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi i autorëve pritet të bëhet nga pamjet filmike të kamerave të sigurisë së bizneseve pranë pallatit të gjyqtares, ndërsa kjo e fundit ka deklaruar se në shtepinë e saj nuk ka pasur kamera./abcnews.al