FOTO LAJM/ Rikthehen tensionet në Kosovë, persona të maskuar dhe të armatosur bllokojnë rrugët në veri

schedule15:23 - 10 Dhjetor, 2022

schedule 15:23 - 10 Dhjetor, 2022

Në Veri të Kosovës ka sërish tensione. REL shkruan se janë bllokuar rrugët në Rudarë, komuna e Zveçanit, si dhe në Leposaviq. Po ashtu, në Mitrovicën e Veriut dhe në Rudarë janë dëgjuar sirenat. Në Rudarë janë parë edhe automjetet e ndihmës së parë.

 

Qytetarët serbë kanë filluar të mblidhen në Rudarë.  Sipas informatave nga vendi i ngjarjes, aty janë parë burra të maskuar dhe gra. Arsyeja e mbledhjes ende nuk është bërë e ditur, por ka informata se kjo vjen pas një arrestimi në veri.

 

Në këtë vend, Rudarë, më herët janë ngritur barrikada nga serbët lokalë. Shefi i Zyrës për Kosovën në Beograd, Petar Petkoviç, ka deklaruar se në Jarinjë sot është arrestuar Dejan Pantiq, ish pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Nisur nga situata e krijuar, Presidentja Vjosa Osmani ka thirrur në një takim krerët e partive politike, ku do të flasin për tensionet në veri. Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka refuzuar të marrë pjesë duke thënë se zgjedhjet në veri duhet të shtyhen. Nga ana tjetër, KQZ ka nisur përgatitjet për zgjedhjet, duke thënë se nuk është në kompetencën e saj për të marrë vendimin nëse do të shtyhen zgjedhjet.

Për shkak të incidenteve në veri, një polici i Kosovës ka mbetur i plagosu, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sulmi ka ndodhur pak orë pasi Policia e Kosovës ka shtuar prezencën në veri.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se vendimi i policisë për të shtuar praninë e saj në veri, ka për qëllim sigurimin e qytetarëve. Nga ana tjetër, Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka thënë se “Policia e Kosovës nuk ka të drejtë të shkojë në veri dhe se Serbia “do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë” në Kosovë.

Por i menjëhershme ishte reagimi i Presidentes Vjosa Osmani, e cila tha se në Kosovë nuk do të ketë më kurrë policë e ushtarë të Serbisë.  /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!