Përshkallëzohen protestat në Hong Kong

schedule21:32 - 25 Gusht, 2019

schedule 21:32 - 25 Gusht, 2019

Protestat në Hong Kong kanë marrë një përshkallëzim të frikshëm, me policinë që për herë të parë ka përdorur armë zjarri kundër manifestuesve. Bëhet fjalë për episodin më serioz që nga nisja e demonstratave rreth 2 muaj më parë.

Një oficer policie në Hong Kong qëlloi me armë zjarri gjatë protestës së të dielës, për herë të parë që nga nisja e manifestimeve në qershor. Ndërkohë, agjentë të tjerë policie, të thirrur për të vënë nën kontroll turmën, i drejtuan armët e zjarrit protestuesve me të cilët po përplaseshin.

Gjithashtu, për herë të parë policia në rajonin autonom të Kinës përdori topa uji për të shpërndarë demonstruesit. Autoritetet policore deklaruan për mediat lokale se të shtënat u qëlluan në shenjë paralajmërimi dhe shtuan se oficerë të shumtë ishin dërguar në spital si pasojë e plagëve të marra nga përleshjet.

Protestat në Hong Kong u nxitën nga projektligji i ekstradimit, por që prej atëherë janë kthyer në manifestime më të gjera anti-qeveritare. Episodet me armë të verifikuara të dielën shënojnë një përshkallëzim serioz të trazirave.

Pas të shtënave, protestuesit hodhën gurë, tulla dhe bomba molotov ndaj forcave të rendit. Nga ana e tyre, këto të fundit qëlluam plumba gome dhe gaz lotsjellës dhe me topa uji përçanë barrikadat dhe shpërndanë turmat. Raundi i fundit i akteve të dhunës vjen pas një periudhe relativisht paqësore, që zgjati pak më shumë se një javë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!