“Persekutorin tim e kam komshi, më del si derr përpara”, Kongoli: Prindërit e Tupes më frymëzuan për “Bolero në vilën e pleqve”

schedule12:10 - 17 Shkurt, 2023

schedule 12:10 - 17 Shkurt, 2023

Shkrimtari i tranzicionit, Fatos Kongoli ka bërë një rrëfim ndryshe në “Pas Mesnate”. Ai ka ndarë edhe detaje nga jeta e tij private, ku në një moment ka zbuluar se një nga persekutorët e tij aktualisht e ka fqinjë dhe e shikon përditë me plot neveri.

“Letërsia është shprehje e dhimbjes njerëzore. Pa dhimbje nuk mund të shkruash, nuk mund të bëhet letërsi sipas meje. Unë kam pasur në jetën time dy persona, që kanë qenë persekutorët e mi me të gjithë kuptimin e plotë të fjalës. Njërin e kam komshi dhe e shoh përditë. Nuk e duroj dot se është fytyrë që nuk e shoh dot, sikur më del një derr i egër përpara, më jep një ndjesi shumë të egër. Por marr shkas nga ajo çfarë unë përjetova”, u shpreh ai.

Më tej, është ndalur edhe te vepra “Bolero në vilën e pleqve”, frymëzimin për të cilën e ka marr nga prindërit e përkthyesit Edmond Tupja. Kongoli e ka cilësuar si librin më të veçantë dhe më të bukur të tij.

“’Bolero në vilën e pleqve’ është një libër shumë i veçantë, por frymëzimin e kam marrë nga një episode që ma tregoj Edmond Tupe, më goditi. Edhe i thash: “O Mondi a ma lejon ta përdor këtë episod?”. ‘Si jo’, më tha, ‘Përdore’. Është bërë edhe film dhe jo i keq. Unë e kam parë dhe është i mirë. Unë them që është libri im më i veçantë, më interesant, më i bukur”, tha shkrimtari./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!