Këtë hënë në emisionin “Log.” me gazetarin Endri Xhafo dhe një panel të ftuarish si Ivi Kaso, Shpëtim Nazarko, Neritan Alibali dhe Denar Biba u diskutua mbyllja e dosjes 184.
Sekretari për Çështje Zgjedhore i Partisë Demokratike, Ivi Kaso tha për gazetarin Endri Xhafo se Prokuroria u përdor politikisht për këtë çështje.
Teksa ndalet te veprimet, kalimet e dosjes 184 nga Prokurori e Dibrës tek Krimet e Rënda për ta rikthyer sërish tek Prokuroria e Dibrës, tha se mazhoranca sipas tij e ka keqpërdorur prokurorinë.
“Hetimet kanë filluar në bazë të një denoncimi publik. Personat e kallëzuar penalisht nga ana jonë, ishin ministra të kohës drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Nga përgjimet u provua një grup i strukturuar kriminal. Vota që nuk i takonin i mblidhnin ose duke blerë ose duke shantazhuar. Ka qenë mazhoranca e cila ka keqpërdorur Prokurorinë. Kryetari i Komisionit të Ligjeve që kemi sot, vetë me zë edhe figurë rezulton në përgjimet e prokurorit të shkarkuar.
SPAK pasi e mbajti dosjen dy vjet, arriti në konkluzionin se nuk kishte grup të strukturuar kriminal. Duke qenë e paqarta në këndvështrimin e SPAK vendosi që pa e çuar këtë çështje në Gjykatë t’ja çonte në kompetencë te Prokuroria e Dibrës, vetëm me arsyen që të hetonte të vegjlit sepse Prokuroria e Dibrës nuk kishte kompetencë të hetonte ministrat e mëdhenj. Në këtë mënyrë iu vendo vula “amnistisë” për të gjithë personat me pozicionet të larta”, deklaroi Kaso.
Analisti Shpëtim Nazarko gjatë bisedës në studio u shpreh se dosja 184 ishte një mekanizëm shit-blerje.
“Është qartësisht e provuar që aty ka pasur një mekanizëm shit-blerje, jo thjesht i kësaj mazhorance , por edhe i mazhorancave të tjera”, tha Nazarko.
Nga ana tjetër analisti Neritan Alibali tha se përfundimi i dosjes në këtë situatë sipas tij është përfundim logjik.
“Dosja nga Prokuroria e Dibrës kaloi tek Krimet e Rënda. Krimet e Rënda ia kthyen Prokurorisë së Dibrës për çështje të moskopetences”, tha ai.
Pyetje: Kishte kompetence SPAK të hetonte dosjen 184?
Kaso: Sigurisht që kishte.
Pyetje: Përse keni kërkuar që SPAK të hetojë krimet zgjedhore?
Kaso: Për shkak të ndryshimeve Kushtetuese në vitin 2016 çdo lloj korrupsioni bien në kompetencën e SPAK. Duhet të hetojë korrupsionin dhe një sërë veprash të tjera që kryhen jo vetëm nga zyrtarë të lartë. Ne jemi nisur me qëllimin që t’ja zgjidhim duart SPAK-ut që të hetojë nga i pari tek i fundit.
Sakaq ish-kryetari i KQZ, Denar Biba draftin e sjellë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e konsideroi pozitiv
/abcnews.al/