Përse po hesht Basha për Berishën? Shkullaku: Rruga e dytë do të ishte më e ndershme

schedule21:28 - 7 Shtator, 2021

schedule 21:28 - 7 Shtator, 2021

E ndërsa na ndajnë vetëm pak ditë përpara se të mblidhet Kuvendi për të nisur legjislaturën e re, Lulzim Basha ndodhet përpara një vendimi shumë të vështirë; të vendosë për fatin e Sali Berishës. Por përse po hesht deri tani lideri i PD-së? Analisti Armand Shkullaku, i ftuar në emisionin “Log” në “ABC” u shpreh se rrugët për kryedemokratin janë vetëm dy dhe duhet që të ketë një qëndrim zyrtar.

Që në ditën e parë PD duhet ta kishte marrë vendimin. Nuk është i lehtë. Por në momentin që u shpall “non grata” ishin dy mundësi; ose PD (nëse ishte e bindur) duhet të ndiqte standardin që ka kërkuar nga kundërshtarët politikë dhe (Berisha) nuk mund të jetë pjesë e grupit parlamentar ose jo, nuk besojmë te këto akuza, “është shtylla kurrizore e partisë, fytyra e PD” dhe do i qëndrojmë deri në fund.

Na jepni prova para se të shprehemi, janë zvarritje. Basha duhet të marrë një akt politik. Rruga e dytë do të ishte më e ndershme, nuk mund të distancohet nga dikush që e ke pasur në identitetin tënd. Qëndrimi i Bashës duhet të ishte në mbështetje të Berishës” u shpreh ai.

“Lapsi.al”, i drejtuar nga Armand Shkullaku ditën e sotme publikoi një mesazh, që sipas burimeve të portalit nga selia e PD-së, ambasada e SHBA-së në Tiranë u dërgoi drejtuesve të kësaj partie me këtë tekst “Pakti u prish, tani është radha jonë të flasim”. Po sipas lajmit të publikuar, mesazhi u dërgua përpara se Berisha të shpallte vendimin mbrëmjen e djeshme se nuk kishte ndërmend ta braktiste betejën në kuvend dhe të kërkonte fakte nga SHBA, për akuzën që i bëhej. Por si e analizon Shkullaku këtë mesazh?

Dyshohet se mund të ketë një pakt. Dikush nuk mund të çojë një mesazh të tillë përderisa nuk jemi marrë vesh paraprakisht. Bëhet fjalë për një pritshmëri të ambasadës amerikane, që Berisha, ndonëse nuk ka një qëndrim për përjashtimin e tij, pritshmëritë e ambasadës kanë qenë se do të kishte një tërheqje.

Dalja e Berishës mesa duket e ka shqetësuar ambasadën dhe ambasadoren, pasi ka një udhëzim nga Uashingtoni për izolimin e Berishës dhe cdo dalje e tij mund t’i japë një shqetësim jo më PD-së, por me Uashingtonin, dhe përderisa shikon që udhëzimi po komplikohet, tregon humbjen e durimit.

Nuk mund t’i bëhet presion një partie për të marrë një vendim që është në diskrecionin e saj, është një gjuhë shantazhuese ndaj një partie. Kjo nuk vjen vetëm për shkak të arrogancës së diplomatëve, por edhe terrenit të lirë, mos mbajtja e qëndrimeve të prera, luajtja me dy porta ka krijuar një terren të tillë, që një ambasador të kërkojë marrjen e një vendimi të tillë” tha  Armand Shkullaku./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!