Përse e braktisin shqiptarët atdheun e tyre?

schedule14:11 - 30 Mars, 2022

schedule 14:11 - 30 Mars, 2022

Nga Mentor Kikia

Mbrëmjen e të martës, programi “Log” i Endri Xhafos, në ABC-News iu kushtua çështjes së largimit të shqiptarëve; ”Përse ikin shqiptarët”- titullohej programi. Isha i ftuar atje dhe bashkë me panelin u përpoqëm të tregonim arsyet. Natyrisht, në një debat jo gjithmonë është mundësia të shtrosh me qetësi argumentat, ndaj po i rikthehem kësaj teme, nën të njëjtin titull.

“Përse ikin shqiptarët”? – përgjigja e pyetjes duhet të kërkohet në gjithë çka ndodhur në 30 vite postdiktaturë. Duke filluar nga arratisja e madhe, pas rënies së komunizmit, kur shqiptarët u sulën në Perëndim për ti shpëtuar urisë, deri tek largimet me viza pune.

Shqipëria ka numrin më të madh të azilkërkuesve në vendet e BE-së, edhe pse shumica prej tyre nuk e fitojnë atë, për shkak se vendi ynë nuk bën pjesë tek vendet e rrezikshme. Por, sot largimi ka marrë tjetër natyrë. Po largohet krahu i punës i specializuar. Thënia e kryeministrit, se “punë ka por s’ka specialistë”, është sot në përmasat e një drame. Biznesi vendas kërkon punëtorë, por nuk ka. Faqet online që punësojnë njerëz në Gjermani janë të mbushura me njoftime: Kërkohen shofer kamioni; kërkohet mjeshtër punimi në gips; kërkohen mjeshtër muratorë; kërkohet mjeshtër në përpunimin e drurit…

Kjo bëri që sipërmarrja ti drejtohet tregut të huaj për punëtorë, kryesisht nga Bangladeshi apo India, por duket se edhe kjo nuk po rezulton efektive.

Por nga vendi nuk ikën thjeshtë dhe vetëm krahu i punës, apo ata që “vuajnë për bukën e gojës”, por po ikën edhe ajo që konsiderohet si shtersa e mesme. Janë ata që nuk janë të papunë e pa profesion, por që kanë kërkesa për jetën më shumë se “për bukën e gojës”. Janë ata që kërkojnë një lloj standardi në jetesë. Kërkojnë shkollim më të mirë për fëmijët, shërbim shëndetësor me të mirë, dhe tekefundit, një mjedis jetese më komod. Qytete më normale në aspektin urbanistik, me jetë kulturore e artistike, me mjedise argëtimi e çlodhjeje…

Ky realitet tashmë dihet, dhe pyetja është, përse nuk po ndryshon dot ky trend?

Qeveria thotë se është normale që njerëzit në një shoqëri globale të ndjekin vendin e punës dhe interesin.

Opozita thotë se njerëzit ikin sepse nuk kanë shpresë.

Unë mendoj se të dyja argumentat qëndrojnë. Por doja të ndalesha tek e dyta. Përse nuk kanë shpresë njerëzit? Do të rendis disa arsye:

Në mënyrë sistematike, politika punoi fort për të deformuar konkurencën dhe krejt shoqërinë. Rinisë, që sot i sygjerohet të shikojë modelin e suksesit, iu përplas fytyrës modeli i atyre që bashkoheshin me forumet rinore të PD-së, PS-së dhe LSI-së, për të siguruar shkollën më të mirë, dhe padyshim një vend punë dhe karrierë të sigurtë.

Korrupsioni shkatërroi konkurencën në biznes, dhe modeli në këtë fushë është ai i oligarkut të madh, që i shërben me radhe qeverive. Modeli është ai sipërmarrësi, që fiton me qindra tendera për shkak të afërsisë me partinë që ka pushtetin dhe për shkak se ushqen me ato para makinerinë e elektorale të përtisë që i jep tenderat. Modeli i suksesit është ai i njeriut që nga hiçi, bëhet sipërmarrës i suksesshëm dhe i pasur, jo falë punës dhe këmbënguljes, por falë faktin se është njeriu hije i një ministri të fuqishëm. Modeli i suksesit është një njeri i zakonshëm, që befas shndërrohet në sipërmarrës, falë kontributit që jep në fushatën elektorale e partisë që ka pushtetin.

Di njeri të shpjegojë se përse në një vend ku paga mesatare është 45,000 mije Lekë, çmimet e apratamenteve në Tiranë kanë shkruar nga 4500 deri në 5000 Euro për metër katror? Edhe në qytezat më modeste, ky çmim është të paktën 2000 Euro. Përse ky devijim? Unë e kam një shpjegim. Sepse ekonomia është kontaminuar nga paraja e zezë e epokës së kanabizimit. Paraja e drogës, që po investohet në pasuri të patundëshme, ka rritur në mënyrë artificiale koston e jetesës. Në shumë pallate sot ka një sasi të madhe apartamentesh që blihen nga njerëz që nuk pyesin për çmimin, por vetëm zgjedhin katet. Një 5 % e njerëzve kanë rritur artificialisht standardet për pjesën tjetër që është në kushtet e mbijetesës. Një njeri i thjeshtë, me pagë mesatare 50.000 Lekë, duhet të punojë nga 50 deri në 100 vjet, pa shpenzuar asnjë qindrakë që të blejë një shtëpi.

Dhe ne i kërkojmë një të riu të jetë optimist që të shkollohet dhe të gjejë një punë e të ndërtojë jetën në vendin e tij?

Pesimizmi nuk është një gjendje që prodhohet brenda një dite. Njeriu nuk mund të jetë optimist në mbrëmje e befas në mëngjes gdhihet pesimist, apo e anasjellta. Jo, pesimizmi është një gjendje që kaplon shoqërinë në kushtet e zhgënjimeve të vazhdueshme. Njeriu bëhet pesimist kur nuk e gjen veten në një treg pune dhe në një treg vlerash. Njeriu bëhet pesimist kur ndjehet i dhunuar nga arroganca e atij që ka pushtetin dhe paranë, nga arroganca e atij që nuk ka punuar një ditë dhe krekoset publikisht me makinat e luksit dhe vilat në bregdet. Nga arroganca e atij që punon në administratë me paghë 50,000 Lekë dhe fundjavat i kalon në Dubai.

Ja pse shqiptarët ikin dhe do të ikin. Dhe nuk do të ndalet kurrë kjo hemoragji me thirrje patetike: “O sa mirë me qenë shqiptar”, apo “mos e braktisni atdheun tuaj”…

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!