Një lojtar me histori të pabesueshme u testua te Partizani gjatë janarit të vitit 2020. Bëhet fjalë për sulmuesin anësor, Davide Lorenzo. Tashmë 26 vjeç, ai është produkt i akademisë së Juventusit, ndërkohë që ka provuar të luajë edhe në USL League Two në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kishte menduar të linte futbollin, por një ditë ai u takua me Vichai Srivaddhanaprabha, ish-presidentin e Leicester, i cili u nda nga jeta pas shpërthimit të helikopterit të tij. Gjatë takimit në Nice, në një restorant ku italiani po punonte si kamerier, ai i tregoi historinë e jetës së tij të ndjerit.
“Ende mbaj mend gjithçka për të. Ishte pasdite, e hënë, dhe kishte rreth 10 të ftuar në restorantin tim, të gjithë tajlandezë. Menaxheri më ta që kishim një mysafir shumë të rëndësishëm dhe më kërkoi të shërbej në tavolina të tjera. Kisha punuar vetëm 15 ditë si kamerier dhe askush nuk e dinte që kam luajtur futboll në të shkuarën.
Duke ditur që presidenti i Leicester ishte aty, nuk më interesonte gjë tjetër. U përpoqa t’i afrohesha dhe të flisja me të. I dërgova më pas një pije që kërkoi z. Vichai. I çova edhe një shampanjë, që më pas e mora në shtëpi, pasi ai kishte ikur”, tregon italiani, për “TheAthletic”.
“I tregova rreth vështirësive të mia. Një vit më parë nuk dija anglisht, por mësova në New York. Pa atë eksperiencë nuk mund t’ia tregoja historinë time pronarit të Leicester. Tani flas katër gjuhë të huaja. Vichai më pyeti: Do të luash në Tajlandë? Ose në Belgjikë?”. I thashë: “Shiko, do të shkoja kudo, por më duhet të fitoj formën, duhet të stërvitem”.
Vichai u mahnit nga këmbëngulja e italianit dhe i ofroi mundësinë e një prove, ndërsa më pas firmosi. “Vendosmëria është cilësia më e rëndësishme që mund të ketë një njeri. Shpresoj të jem një shembull i mirë i kësaj. Të nënshkruash një kontratë profesioniste në moshën time nuk është e lehtë. Kam besuar gjithmonë në talentin tim, por kam qenë i vetëdijshëm për dobësitë dhe gabimet që mund të bëj brenda dhe jashtë fushës.
Kam punuar që të minimizoj ato gabime, duke përsëritur veprimet me një dëshirë shumë të fortë për t’u përmirësuar. Nëse isha në gjendje të firmosja një kontratë me Leicester, mendoj se ishte një miks i fatit, por më së shumti më ndihmoi këmbëngulja që më ndihmoi të realizojë këtë ëndërr.
Kjo ishte ajo që Vichai vuri re tek unë dhe ma dha këtë mundësi të paharrueshme”, tregonte Lorenzo për Gianluca Di Marzio kohë më parë. Italiani provoi të binte trajnerin Sormani, por nuk ia doli dot. Më pas, në muajin shkurt, japonezi Okazaki, e ndihmoi t’i bashkohej një klubi në Japoni, por planet u prishën me pandeminë e shkaktuar nga COVID-19 dhe tani Lorenzo ndodhet në Francë me të dashurën e tij. /abcnews.al