Përplasjet për memorandumin, Trump akuzon FBI

schedule14:41 - 2 Shkurt, 2018

schedule 14:41 - 2 Shkurt, 2018

Presidenti amerikan, Donald Trump ka akuzuar FBI dhe Departamentin e Drejtësisë së kanë politizuar hetimet e tyre. Sipas kreut të Shtëpisë së Bardhë këto agjenci ligjzbatuese kanë punuar në favor të ish-kandidates demokrate, Hilari Klinton.

Vazhdojnë përplasjet në Shtetet e Bashkuara lidhur me memorandumin sekret të republikanëve që mund të dëmtojë hetimet për “Russiagate”, të cilin Shtëpia e Bardhë paralajmëron se do ta publikojë. Presidenti Donald Trump akuzoi zyrtarët e FBI dhe Departamentit të Drejtësisë për politizim të hetimeve të tyre.

“Lidershipi I lartë dhe hetuesit e FBI dhe Departamentit të Drejtësisë kanë politizuar procesin e shenjtë investigues në favor të Demokratëve kundër Republikanëve- diçka që ishte e paimagjinueshme disa kohë më parë”, shkruan Trump në profilin e tij zyrtar në tuitër. Ndërsa më tej presidenti amerikan përsërit akuza për rivalen e tij në zgjedhjet e 2016. “Ju keni pasur rastin e Hilari Klinton dhe Partisë Demokratike që janë përpjekur të fshehin faktin se kanë paguar kompaninë ‘GPS Fusion’ për të krijuar dosierin, I cili është përdorur nga aleatët e tyre në Administratën Obama për të bindur në mënyrë të gabuar gjykatat për të përgjuar Ekipin e Trump”, nënvizon kreu I Shtëpisë së Bardhë duke cituar Tom Fitton, një aktivist konservator amerikan.

Ndërkohë, FBI më herët gjatë kësaj jave ka shprehur shqetësim të madh lidhur me materialet që gjenden në memorandumin e republikanëve. Mendohet se me publikimin e tij do të shkaktojë shumë dorëheqje të zyrtarëve të rangut të lartë në agjencitë e zbatimit të ligjit në SHBA. Kreu i tanishëm i FBI, Christopher Wray është zgjedhur nga Trump pasi shkarkoi James Comey. Ka pasur zëra në mediat amerikane se Ëray mund të japë dorëheqjen në rast të publikimit të memorandumit.

Ndërsa nga ana tjetër demokratët akuzojnë republikanët se kanë ndryshuar të dhënat e dokumentit përpara se të aprovohej në Kongres. Sipas tyre, publikimi i saj, është një përpjekje e qartë për të dëmtuar hetimet për lidhjet e ekipit të Trump me Rusinë dhe ndërhyrjen e Moskës në zgjedhjet presidenciale të 2016. Këto hetime drejtohen nga prokurori special, Rober Mueller./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!