Përplasjet për dekretimet e ministrave dhe betimet e gjyqtarëve, Shameti: Ligji për presidentin do t’i shmangë

schedule14:56 - 11 Shtator, 2020

schedule 14:56 - 11 Shtator, 2020

 Nga Esiona Konomi

Edi Rama kaloi disa javë të vështira me Ilir Metën në fund të vitit 2018, kur ai nuk i dekretonte Sandër Lleshaj si ministër të brendshëm, pa dorëzuar më parë gradën ushtarake.

Edhe në fillim të 2019-ës, Presidenti nuk pranoi të firmosë dekretin e Gent Cakaj si ministër i jashtëm, ndaj Rama e mbajti vetë këtë detyrë.

Më pas, Presidenti dhe mazhoranca u përplasën kur Meta firmosi anulimin  e zgjedhjeve të 30 qershorit apo nuk thirri për betim si gjyqtare kushtetuese, Arta Vorpsin.

Për të gjitha këto, socialistët javën e ardhshme do të nisin punën për një ligj specifik për Presidentin e Republikës.

“Sqarim në detaje të teknikaliteteve të veprimtarisë kushtetuese të Presidentit të Republikës me qëllim që të mos ketë asnjë ambiguitet në lidhje me funksionimin e këtij institucioni”, shprehet ai.

Informacionet e pa konfirmuara se Presidenti do të lërë detyrën në 26 prill të vitit të ardhshëm për tu bërë kryeministër apo ministër i brendshëm, socialisti Adnor Shameti, nuk i merr në konsideratë.

“Jam i prirur të besoj deklaratat e herëpashershme të Presidentit të Republikës që gjatë gjithë veprimtarisë së Komisionit Hetimor ka deklaruar në vijimësi që mandati i Presidentit mbaron në 24 korrik të 2022, në mos gaboj. Nga ana tjetër institucioni i presidentit të Republikës ka një shpurë të bollshme që do ta bënin të ditur”, tha  Shameti.

Objektivi i mazhorancës është që Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale në fillim të vitit tjetër, por në shumë prej vakancave, nuk ka juristë që të kenë kandiduar.

“Tashmë kriteret janë të përcaktuara. Nëse do të shikojmë se kriteret janë  shumë të ashpra, dhe puna ngec këtu, theksoj se asnjë ligj nuk është tabu”, theksoi ai.

Komisioni i Ligjeve nis punë javën tjetër për të gjithë rregullimet ligjore, kryesisht në paketën e reformës në drejtësi.

/abcnews.al/