Përplasjet e tifo-grupeve pas Tirana-Besiktas, Policia procedon penalisht 14 persona

schedule14:56 - 4 Gusht, 2023

schedule 14:56 - 4 Gusht, 2023

Përballja e mbrëmjes të së enjtes, mes “bardhebluve” të Tiranës e “shqiponjave” turke të Besiktas, nuk kaloi pa incidente e trazira, të cilat filluan që në tribunat e “Air Albania”, ku tifozët turq filluan të hidhnin sende të forta drejt tifozerisë “bardheblu”.

Mirëpo, nuk ka mbaruar me kaq, pasi trazirat e përplasjet mes tifo-grupeve kanë vazhduar dhe pas daljes nga stadiumi e për këtë arsye, Policia ka proceduar penalisht 14 shtetas, tifozë të këtyre skuadave, ku nga këto 14, vetëm 3 ishin tifozë të Tiranës, 10 të tjerët banues në Turqi dhe 1 banues në Gjermani. /i.m /abcnews.al 

Njoftimi i plotë i policisë: 

Tiranë

Prishën qetësinë publike duke u konfliktuar me njëri-tjetrin, si dhe dëmtuan 1 automjet, pas përfundimit të ndeshjes Tirana – Beshiktash, procedohen penalisht 14 shtetas, tifozë të këtyre skuadrave.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasit:

-T. K., 30 vjeç, H. A., 30 vjeç, Y. T., 26 vjeç, F. K., 25 vjeç, V. A., 25 vjeç, T. K., 25 vjeç, A. A., 34 vjeç, O. S., 25 vjeç, A. U., 27 vjeç, S. O., 28 vjeç, të gjithë banues në Turqi;

– C. K., 37 vjeç, banues në Gjermani;

– I. P., 22 vjeç, si dhe për dy shtetas të mitur 17 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Këta shtetas, ditën e djeshme, pas përfundimit të ndeshjes Tirana – Beshiktash, janë konfliktuar me njëri-tjetrin, në rrugën “Abdi Toptani”. Gjatë konfliktit mes këtyre shtetasve, kanë mbetur të dëmtuar lehtë shtetasit T. A., 28 vjeç, dhe V. M., 47 vjeç.

Gjithashtu, gjatë konfliktit ndërmjet tyre, është dëmtuar 1 automjet i parkuar në parkingun e një hoteli.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar sende të forta të përdorura gjatë konfliktit dhe lëndë piroteknike.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!