Përplasje vdekjeprurëse në kufirin Azerbajxhan-Armeni, shënohen 16 viktima

schedule10:43 - 15 Korrik, 2020

schedule 10:43 - 15 Korrik, 2020

Shtatë ushtarë të Azerbajxhanit, përfshirë një gjeneral, dhe katër ushtarë të Armenisë u vranë në përplasjet e fundit kufitare me artileri të rëndë. Dy vendet fqinje, që kanë zhvilluar një luftë në vitet 1990 për kontrollin e rajonit të Nagorno Karabakut, e fajësuan njëra-tjetrën për nisjen e përplasjeve që kanë zgjatur  tre ditë. Në total, 16 njerëz janë vrarë  nga shkëmbimi i zjarrit në pjesën veriore të kufirit.

Dy vendet kanë qenë të bllokuara në konfliktin mbi rajonin e shkëputur të Azerbajxhanit, Nagorno Karabak, për vite me radhë.

Por, përplasjet e fundit janë larg Nagorno Karabakut dhe direkt midis dy vendeve – gjë që ndodh rrallë. Presidenti i Azebajxhanit, Ilham Aliyev, tha se “udhëheqja politike dhe ushtarake e Armenisë do ta mbajë gjithë përgjegjësinë për provokimin”. Kryeministri armen, Nikol Pashianin, e akuzoi Azerbajxhanin për “provokime” dhe tha se ato nuk do të kalojnë pa përgjigje.

Kombet e Bashkuara, Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë bërë thirrje për vetëpërmbajtje. Përplasjet vijnë disa ditë pasi Aliyev ka ngritur mundësinë e një lufte të re me Armeninë dhe ka dënuar bisedimet e ngecura për paqe.

Më 7 korrik, ai ka kërcënuar se do të tërhiqet nga negociatat “nëse ato nuk japin rezultate”. Aliyev nuk ka dhënë më shumë detaje.

Nagorno Karabaku, , ka shpallur pavarësinë nga Azerbajxhani në mes të luftës së viteve 1988-1994, e cila ka marrë mbi 30,000 jetë njerëzish. Që nga viti 1994, ai është nën kontrollon e forcave etnike armene, që Azerbajxhani thotë se përfshijnë trupat e furnizuara nga Armenia. Pretendimi i rajonit për pavarësi nuk është njohur nga asnjë vend.

Negociatat që përfshijnë Grupin e Minskut të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, të kryesuar nga Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Franca, kanë ndihmuar për të krijuar një armëpushim në rajon, i cili nuk respektohet gjithmonë, por kanë dështuar të prodhojnë zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!