Përplasje Turqi-Kinë, Ankaraja kritikon Pekinin për kampet e ujgurëve

schedule12:50 - 10 Shkurt, 2019

schedule 12:50 - 10 Shkurt, 2019

Turqia dhe Kina janë përfshirë së fundmi në një përplasje diplomatike. Duke iu drejtuar qeverisë kineze, Ankaraja zyrtare ka kërkuar mbylljen e kampeve të përqendrimit për turqit ujgurë në veri-perëndim të Kinës. I irrituar, Pekini ka deklaruar se kërkesa është ndërhyrje në punët e brendshme.

Vdekja e një muzikanti të njohur nga radhët e minoritetit ujgur ka detyruar Turqinë t’i bëjë thirrje Kinës që të mbyllë kampet e burgimit. Artisti po kryente një dënim 8-vjeçar në rajonin Xinjiang, ku rreth 1 milion ujgurë mbahen në një kamp burgimi. Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme turke thuhet se ata janë pre e torturave të njëjta me ato të një kampi përqendrimi.

Nga ana e saj Kina i ka konsideruar komentet e Ankarasë si “tërësisht të papranueshme”. Ujgurët janë një minoritet mysliman turqisht-folës në rajonin veri-perëndimor të Kinës, Xinjiang, që mbahet nën mbikëqyrje të rreptë nga autoritetet kineze. Gjuha e tyre ngjason me turqishten dhe në vitet e fundit një numër i konsiderueshëm ujgurësh janë larguar nga Turqia për në Kinë. Mbajtja e tyre në gjendje burgimi është kritikuar nga fare pak vende dhe kritikë. Analistët thonë se shumë prej tyre i druhen pasojave politike dhe ekonomike nga ana e Kinës.

Nuk është më sekret se mbi 1 milion turq ujgurë janë të ekspozuar ndaj arrestimeve arbitrare, torturave dhe manipulimit politik në burgje”, tha në një deklaratë për shtyp zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke Hami Aksoj. Ai theksoi se rikthimi i kampeve të përqendrimit në shekullin e XXI dhe i politikave agresive, në këtë rast të qeverisë së Pekinit ndaj turqve ujgurë, është një turp i madh për njerëzimin. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!