Administrata dhe Presidenti amerikan vijojnë me qëndrime të kundërta lidhur me rrezikun që përbën Rusia për SHBA-të. Trump beson se Moska nuk është kërcënim për sigurinë e vendit, ndërsa Shtëpia e Bardhë pretendon të kundërtën.
Në Shtetet e Bashkuara vijon konfuzioni lidhur me qëndrimet e administratës së presidentit Donald Trump. Ky i fundit tha se nuk beson se Rusia po vazhdon të verë në shënjestër Amerikën me sulme kibernetike, koment që bie ndesh drejtpërdrejt me një vlerësim të bërë javën e kaluar nga Dan Coats, drejtori i zbulimit kombëtar amerikan. Megjithatë një sqarim për këtë ka ardhur edhe nga vetë Shtëpia e Bardhë, i cili e ka bërë më të paqartë qëndrimin e Trump.
Ky institucion këmbëngul se beson që Rusia përbën akoma kërcënim për Shtetet e Bashkuara. Gjatë një mbledhje të kabinetit, Trump u përgjigj me jo, pyetjes nëse Rusia po shënjestron përsëri zgjedhjet amerikane. Më pas, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, në konferencë tha se presidenti amerikan ka thënë “jo” për të mos pranuar pyetje nga gazetarët.
“Presidenti dhe administrata e tij po punojnë që të sigurojnë që Rusia të mos jetë e aftë të ndërhyjë në zgjedhjet tona siç kanë bërë në të kaluarën”, u shpreh ajo.
Këto qëndrime të paqarta, vijnë pas kritikave të ashpra ndaj komenteve të fundit të Trump për Rusinë. Kreu i Shtëpisë së Bardhë u takua të hënën me presidentin Vladimir Putin në Helsinki, ku pranoi se nuk ka pasur asnjë ndërhyrje nga Moska në zgjedhjet amerikane.
Ndërsa një ditë më pas, Trump tha se është ngatërruar në fjalët e tij, pasi ka dashur të thotë të kundërtën, që beson se Rusia ka ndikuar në zgjedhje. Pavarësisht qëndrimeve të paqarta, një sondazh i Reuters tregon se republikanët vijojnë mbështetjen e tyre ndaj Trump./abcnews.al